Laura PAPRANIKU
Shkup, 8 shtator – Komunat e mëdha rurale, të banuara kryesisht me shqiptarë, nuk kanë ende shkolla të mesme edhe përkundër faktit se nga vitit 2007 ky nivel shkollimi është i obligueshëm për të gjithë, shkruan gazeta KOHA. Në Maqedoni, jo që mungojnë shkollat e mesme rurale, përkundrazi të tilla ka në Draçevë, Ilinden apo prej para dy viteve edhe në Saraj të Shkupit; në Rostushë dhe Vrapçisht të Gostivarit; Zhitoshë të Prilepit; Likovë të Kumanovës, Zhupë të Dibrës; Makedoniski Brod të Krushevës; Makedonska Kamenica të Dellçevës. Shumica e këtyre komunave ku gravitojnë shkollat në fjalë nuk kanë më tepër se gjashtë – tetë mijë banorë, ndërsa kapacitetet për të formuar paralelet është shkollave të mesme shpesh herë nuk arrijnë të plotësojnë as numrin e paraparë për dy paralele. Ndërkohë që në komuna me mbi 24 mijë banorë, si Zhelina e Tetovës, apo me mbi 19 mijë banorë si Studeniçani e mbi 17 mijë banorë si Haraçina e Shkupit, nuk kanë ende shkolla të mesme. Meqë këtu nuk ofrohet mundësia e shkollimit në nivelin e mesëm, të detyrueshëm për të gjithë, me mijëra nxënës të moshës përkatëse udhëtojnë çdo ditë deri në shkollat e qyteteve më të afërta.
Iniciativat dhe kërkesat për themelimin e shkollave të mesme si në Zhelinë, Haraçinë apo Studeniçan, sigurisht që nuk kanë munguar. Mirëpo, duket se organet kompetente të pushtetit qendror dhe lokal, konkretisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe komunat gjegjëse nuk e kanë marrë edhe aq seriozisht çështjen e shkollave të mesme. Ose, në pjesën dërmuese të atyre që duhet të sjellin vendimet dhe të bëjnë presion për realizmin e ideve të këtilla dominon bindja se “shqiptarët nuk është mirë të kenë shkolla rurale”. Pra, sipas tyre, “nxënësit duke vajtur çdo ditë deri te shkollat e qytetit, do të socializohen më shpejt dhe më tepër se sa po të mësonin në shkollat e fshatit”. Megjithatë, mungesa e këtyre shkollave në shumë vende rezulton me mos përfshirjen aspak në nivelin e shkollave të mesme, sidomos të vajzave. Ka sigurisht edhe arsye të tjera, ndonjëherë me karakter politik, por për cilëndo qoftë prej tyre pësojnë nxënësit.
Zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, sikurse pohon për KOHA zëvendësministri Visar Ganiu, nuk është procesuar deri tani asnjë kërkesë nga ana e komunave Haraçinë, Studeniçan dhe Zhelinë.
“MASH shqyrton të gjitha kërkesat për themelimin e shkollave, iniciativa e të cilave buron nga komunat. Kështu që deri tani, me kërkesë të disa komunave janë themeluar viteve të fundit shkolla të mesme në Likovë, Radostushë, Dollnen apo Saraj. Pasi janë shqyrtuara ato kërkesa MASH e ka parë të arsyeshëm që të themelojë shkolla në ato vende”, shpjegon Ganiu. Ndërkaq, për komunat të cilat u nënvizuat më lartë, deri në MASH nuk ka mbërritur asnjë kërkesë, plotëson më tej zëvendësministri. Kështu që, “nëse do të bëhen kërkesa të tilla jo vetëm nga ato tre komuna, por nga çdo komunë tjetër, ne si MASH do t’i shqyrtojmë ato kërkesa dhe do të veprojmë në bazë të analizave profesionale për rastet konkrete”, pohon Ganiu.
Pesë vite më parë, në buxhetin e investimeve kapitale të MASH-it ishin ndarë 1 milion denarë për përgatitjen e punëve për projektin e ndërtimit të një shkolle të mesme në Komunën e Haraçinës. Mirëpo, investimi dështoi të realizohet pasi nuk u gjend lokacioni i përshtatshëm për ndërtimin e shkollës në këtë komunë. Situata, ka mbetur në vend. Kryetari i Haraçinës, Braim Ajvazi, thotë se “problem është vendi”. Pa siguruar lokacionin s’kemi se si të kërkojnë ndërtimin, respektivisht themelimin e një shkolle të mesme në Haraçinë, vëren Ajvazi. “Me ardhjen time në krye të komunës, mendoja se vendi i njohur si ‘te fusha e vjetër e sportit’ do të jetë i përshtatshëm për ndërtimin e shkollës së mesme në Haraçinë. Mirëpo, për shkak të largpërçuesit që ndodhet pikërisht në këtë vend, MASH nuk lejonte ndërtimin e shkollës në këtë vend. Tani ka mbetur puna të gjejmë një lokacion tjetër dhe pas kësaj të dërgojmë kërkesën”, tregon kryetari i Komunës së Haraçinës. Komunat tjera kanë arsye të tjera. Në Zhelinë, për shembull, nuk është problem lokacioni. Pasi në hapësirat e Shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” ka aq vend sa të formohen edhe disa paralele të shkollave të mesme. Mirëpo, sikurse tregon për KOHA përgjegjësi për arsim i kësaj Komune, Saubi Avziu, nuk ka përfunduar ende analiza për llojin dhe drejtimin e paraleleve që do të hapen në këtë Komunë. Sipas tij, është një analizë e gjerë, që përfshin shumë palë: prindër, drejtorë shkollash, nxënës, inspektorë të arsimit, përfaqësues komunal të Zhelinës dhe Tetovës dhe për këtë arsye analiza nuk është gati ende. Kur kjo fazë të përfundojë, atëherë pohon Avziu, kërkesa e bashkangjitur edhe me elaboratin përkatës do t’i dërgohet Ministrisë. (koha.mk)