Qefser ABDYLI
Shkup, 9 maj – Mungesa e kuadrove të kualifikuara te kompanitë është një nga problemet kryesore të punëdhënësve në Maqedoni. Megjithatë, shumica e tyre nuk investojnë në trajnim profesional për punonjësit. Sipas hulumtimit të fundit të Entit shtetëror të statistikave, në vitin 2015 prej 5481 kompanive të anketuara, vetëm 2515, gjegjësisht 45.9 për qind, kanë organizuar së paku një nga llojet e trajnimit të vazhdueshëm profesional, shkruan gazeta KOHA. Në kurset e brendshme për trajnim profesional kanë qenë të përfshirë 1.919 biznese, që paraqet 35 për qind nga numri i përgjithshëm i kompanive të anketuara, ndërsa në kurset e jashtme kanë qenë të përfshirë 32.8 për qind, gjegjësisht 1800 kompani. Trajnimi i vazhdueshëm profesional ka qenë më shumë i përfshirë nëpër ndërmarrje të cilat kanë më shumë se 250 të punësuar, gjegjësisht 70.4 për qind.
“Në trajnime më shpesh shkojnë të punësuarit në kompanitë e informacioneve dhe komunikimit, aktivitetet financiare dhe të sigurimit. Ndërsa kompanitë e ndërtimit i kushtojnë vëmendje të vogël trajnimin të punonjësve të tyre”, thuhet në raportin e Entit shtetëror statistikor. Sipas Angel Dimitrovit, kryetar i Organizatës të punëdhënësve të Maqedonisë, punëdhënësit duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi arsimor nuk mund të japë kualifikime siç ata kërkojnë. “Thjeshtë, ne jemi shtet i vogël dhe nuk jemi në gjendje të krijojmë dhe të organizojmë studime për çdo fushë specifike. Prandaj punëdhënësit, në vend se të presin të gjejnë punëtorë të rinj me kualifikimet e kërkuara, do të duhet më shumë vëmendje t’u kushtojnë rikualifikimeve, trajnimeve dhe zhvillimit të të punësuarve”, thekson Dimitrov. Nga ana tjetër, siç thotë ai, arsimi dhe më tej do të prodhojë kuadër me njohuri të përgjithshme dhe të gjërë, të cilëve do t’u nevojitet avancim i mëtejshëm, por niveli i diturisë duhet të përmirësohet, që të mund të diplomojnë studentët më lehtë dhe më shpejtë t’i zotërojnë aftësitë e reja.
“Kuptohet se ashtu siç ndryshojnë kushtet në tregun e punës, punëdhënësit do të bëhen më të vetëdijshëm për rëndësinë e kuadrove. Ata janë të revoltuar sepse ata të cilët nevojitet të mësojnë dhe të avancohen në periudhë më të gjatë në kompani, sipas parashikimeve ligjore duhet nga dita e parë në punë duhet të jenë të lajmëruar si të punësuar të rregullt, me të gjithë të drejtat dhe privilegjet. Kuptohet se kjo ndryshon nga dega në degë sipas llojit të aktivitetit dhe nivelit të njohurive të kërkuara”, sqaron Dimitrov. Por për shkak të mungesës së punëtorëve, thotë kryetari i OPM-së, disa nga ata tanimë janë të përgatitur t’ju paguajnë shumë të caktuar nxënësve të shkollave të mesme profesionale.
“Për veprimtaritë e punës intensive, për të cilat nuk nevojiten njohuri dhe aftësi të veçanta, punonjësit ende janë deficitar, por për veprimtaritë ku nevojiten njohuri specifike dhe të cilat janë të rralla në tregun e punës, punëdhënësit janë të vetëdijshëm se duhet të investojnë për të arritur deri te ata. Për arsye se në Maqedoni mbizotron puna e krahut, pa shumë kreativitet dhe njohuri, punëdhënësit ende nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme kësaj lëmie. Për fat të keq, dhe në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike mbizotërojnë këto aktivitete dhe nuk u ndryshua struktura e biznesit, ndërsa me të edhe struktura e të punësuarve”, thekson Dimitrov. Mile Boshkov, kryetar i Biznes konferencës të punëdhënësve, thotë se arsyeja kryesore për këtë gjendje është se shpenzimet për trajnime, rikualifikime nuk njihen dhe me këtë nuk ka lehtësim tatimor.
Një numër i madh të kompanive janë të vetëdijshëm se kapitali njerëzor është më i rëndësishëm në një kompani apo ndërmarrje dhe për këtë numri më i madh i të punësuarve në sektorin privat janë me sigurim social, të sigurt në vendin e punës, të motivuar në avancimin e njohurive të tyre, por shpenzimet për zhvillimin e tyre duhet të inkurajohen dhe të lehtësohen me masa qeveritare në formën e lehtësim tatimor, subvencionim ose qasje specifike për finansimin e këtyre praktikave”, thotë Boshkov.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara