Harry Kin nuk arriti të shënojë në sfidën ndaj Suedisë, por bëri një punë të jashtëzakonshme në shërbim të skuadrës. Kapiteni i “tre luanëve” nisje më mbrapa, duke tërhequr Granqvist nga mbrojtja suedeze dhe duke ndihmuar Sterling të gjejë hapësira në thellësi. Në përfundim të sfidës Kin vlerësoi paraqitjen e skuadrës deri në këtë pikë, ndërsa nuk e fshehu se e mendojnë shpesh edhe finalen. “Jemi një grup djemsh që kemi ardhur këtu për të luajtur me krenari dhe për të bërë të lumtur një popull të tërë. Grupi është sekreti i suksesit tonë dhe besoj shumë se do të mbërrijmë në finale”, deklaroi Kin. Sulmuesi i Totenhemit mban shiritin e kapitenit te përfaqësuesja e drejtuar nga Gareth Sautgejt dhe deri tani është golashënuesi më i mirë i Botërorit, me 6 gola. Ndërkohë, kur jemi te gara për golashënuesin më të mirë edhe ndjekësi i tij më i afërt i Kin, Romelu Lukaku, nuk e gjeti rrjetën në fitoren e Belgjikës ndaj Brazilit, duke mbetur në kuotën e katër golave. Nuk mund të përjashtohen përfundimisht nga gara francezët Grizmann dhe Mbappeas, që kanë realizuar nga 3 gola secili, ndërsa për Modriç, Hazard apo Stones, që e kanë gjetur nga 2 herrë rrugën e rrjetës, mundësia për të shënuar 4 apo më shumë gola në dy takimet e mbetura, është një mision i pamundur. Duket qartë që për “Këpucë e Artë” do të duelojnë Harri Kin dhe Romelu Lukaku, dy sulmues shumë të rëndësishëm të Premier Ligë, që do të mund të përplasen me njëri-tjetrin në fushën e blertë vetëm në takimin e fundit.