Shkup 8 mars – 52 fëmijë të moshës prej 2 deri 16 vjeçe të diagnostifikuar me sëmundje të ndryshme si autizëm, Sindrom Daun, paralizë celebruare e probleme të ndryshme logopedike dhe mendore janë pjesë e përditshme e programeve zhvillimore që realizon Shoqata “Dua Ylberin”, në Shkup.
Një ekip profesionist punon aktivisht me fëmijët çdo ditë dhe për një vit aq sa funksionojnë si të tillë kanë arritur të shohin rezultate dhe përmirësime të dukshme, tha për KOHA, njëra ndër themelueset e Shoqatës, Mevlude Thaçi.
“Shoqata “Dua Ylberin” funksionon prej vitit 2010, por ky ekip që është sot është formuar para 1 viti. Qëllimi i kësaj shoqate është të ofroje shërbim ndihmës profesional për fëmijët me nevoja të veçanta. Ekipi profesional është me 2 psikologe, punonjëse sociale, defektologë dhe 3 logopedë. Ndërkohë bashkëpunim here pas here kemi me neuropsikiatër, fizioterapeut dhe specialist te neurofeedbekut. Momentalisht ne shoqate trajtohen 52 fëmije te moshës nga 2 – 16 vjeç. Prej tyre janë 23 me Çrregullim te spektrit te autizmit, 6 fëmije me Sindrome Doën, 4 fëmije me Paralize cerebrale, 9 fëmijë me probleme logopedie, 6 fëmije me prapambetje mendore dhe 4 fëmije me ADHD”, tha ajo.
Thaçi sqaron se puna që bëhet me fëmijët është individuale dhe behet nga 40 minuta, nga 60 minuta deri ne 4 ore ne dite. Gjithashtu edhe shtrirja gjate javës është 3 here, 4 ose 5 here ne jave.
“Teknikat e punës qe përdorim me këta fëmijë janë të gjitha me te dhëna te matshme. Ndaj edhe lehtësisht mund te jap përgjigje te sigurt qe te gjithë fëmijët kanë rritje ne rezultatet e tyre. Këto përmirësime cilësohen nga 20% deri ne 80% ne fusha te ndryshme te zhvillimit ne fëmije të ndryshëm. Metoda me e përdorur ne punën me fëmijët ne “Dua ylberin ” është ABA terapia. Gjithashtu shtrirje të gjerë ka përdorimi i Skedave për diagnozë te zhvillimit (version te vitit 2016). Për te përdorur sa më me efikasitet ABA terapinë, ekipi është i certifikuar për këtë metode. Ne shoqatën tone mbahen edhe trajnime ABA nga eksperte te njohur nga Shqipëria, ku trajnimi i fundit u mbajt ne dhjetor, ndërsa ai i radhës presim ta mbajmë ne muajin mars”, tha Thaçi.
Mevlude Thaçi porositi prindërit e këtyre fëmijëve që të jenë të vetëdijshëm që pengesat të cilat i hetojnë tek fëmijët e tyre të çdo lloji; lëvizje, te folur, sjellje, mënyra e lojës, duhet të jenë sinjal i fortë që të vizitojnë mjekun dhe me pas te vazhdojnë me trajtim te logopedit, defektologut, punonjësit social apo psikologut.