Shkup, 20 shtator – Pas punës së suksesshme në Shkup, u hapën degët e reja të shoqatës për ndihmë të fëmijëve me nevoja të veçanta “Dua ylberin” edhe në Kumanovë dhe Saraj. Kjo shoqatë kryen veprimtarinë e saj prej shumë kohësh me fëmijë që vijnë nga shumë rajone.
Stafi i kualifikuar me defektolog, logoped, psikolog dhe punonjës social, me specializime klinike dhe të certifikuar me ABA Terapi, punojnë me fëmijë me nevoja të veçanta, transmeton Koha.
Fëmijët me të cilët punojmë janë prej moshës 18 muajsh e deri 18 vjeçare, të cilët janë duke u përballur me problematika të ndryshme si: Çrregullim i spektrit të autizmit, Paralizë cerebrale, Sindromë Down, Epilepsi, Probleme logopedike, Belbëzim, Sigmatizëm, Vështirësi në mësim, Disgrafi, Disleksi, Diskalkuli, Dispraksi, Pengesa në dëgjim, Çrregullime social-emocionale, Prapambetje mendore, si dhe çdo pengesë tjetër që paraqitet te fëmijët duke i penguar ata të zhvillojnë aftësitë njohëse, emocionale, të të folurit, sociale, të njohjes së vetvetes, gjuhësore dhe matematikore. Vështirësitë që vetë prindi i sheh te fëmija i tij, apo vështirësitë në shkollë që mësuesit tregojnë, duhet që të trajtohen sa më herët, për të arritur sukses te fëmija.
Orët e mësimit do të jenë individuale (1 fëmijë-1 terapiste) , duke i lënë mundësi fëmijës që sa më lehtë të kalojë vështirësitë e paraqitura.
Me hapjen në Saraj dhe Kumanovë të degëve të reja të shoqatës “Dua ylberin”, fëmijëve me nevoja të veçanta, u jepet mundësia të vazhdojnë me përmirësimin e aftësive të tyre, në kushte të përshtatshme për ta, nga profesionistë të fushës.