Valentino Rossi nuk e ka hedhur plotësisht pas krahëve zhgënjimin që i solli titulli i humbur në garën e fundit të Botërorit të vitit 2015 në Moto Gp. Në një intervistë për mediat italiane, Doktori ka sulmuar sërish dyshen Marquez-Lorenzo. Italianit nuk i ka pëlqyer aspak sjellja në pistë e kampionit në fuqi të Botës, me Marc Marquez që bëri gjithçka që ai titull të shkonte në duart e bashkëkombësit të tij Jorge Lorenzo.
” Në atë sezon ndodhën gjëra që kurrë nuk duhet të ndodhin, pasi janë një turp për sportin. Në karrierën time kam rivalizuar me kundërshtarë të ndryshëm dhe shumë të fortë, si Biaggi apo Stoner por askush nuk është sjellë si Marquez. Asnjëherë nuk kam parë një pilot që nuk garon për titullin të pilotojë në atë mënyrë në garën e fundit dhe gjithçka ishte tendencioze për të më penalizuar mua. Zhgënjimi është i madh për atë titull të humbur sepse në të kundërt, nuk do të kisha folur madje nuk do të kisha reaguar fare. E vërteta më ka dhembur në shpirt sepse realisht e meritoja ta fitoja atë kampionat Botëror”.
Nga zhgënjimi për titullin e humbur në 2015-të te sulmi direkt ndaj Marquez, Rossi foli pa dorashka në lidhje me spanjollin e Repsol Hondas.
” Lorenzo në të mirë apo në të keq, është më i drejtpërdrejtë se Marquez dhe shtiret më pak. Vinales ndërkohë më duket akoma edhe më i ekuilibruar se Lorenzo, megjithatë mbetet për tu parë pasi mund të ndryshojë në presion e sipër. Për Marquez mund të them që e urrej, madje në pistë nuk e shikoj fare me sy edhe kur është shumë i shpejtë. Të gjithë dinë ta bëjnë zotërinë jashtë piste, por në garë sjellja e Marc lë për të dëshiruar”.
Rossi tashmë ka dy objektiva të fitojë titullin e 10-t Botëror dhe të bëhet baba.
” Dëshira ime është të vazhdoj të fitoj. Të jem gjithmonë aty dhe të luftoj për titullin tim të 10-të. Por dua edhe një fëmijë, mendoj se është momenti i duhur për tu bërë baba”.