Ederson, portieri i Mançester Siti, kërkon që Pep Guardiola t’ia besojë fatin e skuadrës këmbëve të tij. Në fakt, sipas “Mançester Evening News”, braziliani duket se ka bërë një kërkesë për të qenë goditësi i parë i penalltive të “Citizens”. I blerë verën e kaluar për 38 milionë euro nga Benfika, ai është paraqitur shumë mirë deri tani me klubin e ri.
Ederson përfaqëson idenë që ka Guardiola për portierin modern, i aftë të largojë rrezikun nga zona e rreptësisë dhe të ndihmojë mbrojtjen me nisjen e aksioneve. 24-vjeçari ka thënë se ai ka aq shumë besim te këmbët e tij, saqë është gati të godasë penalltitë për Sitiin.
“Nëse do të paraqitet ndonjëherë mundësia që të gjuaj një penallti, do t’i kërkoj trajnerit që ta gjuaj dhe do ta shënoj!”, ka thënë ai. “Mendoj se futbolli modern ka evoluar shumë. Portierët bëjnë shumë gjëra gjatë ndeshjes. Ata ndihmojnë në ndërtimin e aksioneve. Është shumë e rëndësishme që të dish të përdorësh këmbët dhe të dish të lexosh ndeshjen. Unë ndihmoj shumë në ndërtimin e lojës dhe me pasimet e gjata”.
“Por gjëja kryesore që duhet të ketë një portier është qetësia, të arrijë të përballojë momentet e vështira, veçanërisht pasi bën një gabim. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe të ndihmon shumë për të zhvilluar aftësitë”. Guardiola u kritikuar shumë kur vendosi ta zëvendësonte Xho Hart me Klaudio Bravon, në vitin e tij të parë te Siti. Portieri kilian ka pasur shumë vështirësi për t’u përshtatur me futbollin anglez, por tani duket se trajneri spanjoll ka gjetur njeriun e duhur për portën dhe penalltitë.