Chelsea duket se do të ketë probleme me mbajtjen në ekip të Thibaut Courtois, i cili refuzoi të rinovonte kontratën në “Stamford Bridge” sepse dëshiron të qëndrojë pranë familjes së tij që jeton në Spanjë. Portieri nga Belgjika ka edhe 18 muaj kontratë me londinezët nga e cila përfiton 100 mijë paundë në javë dhe klubi londinez i ofroi dyfishin e rrogës, 200 mijë paundë, me synimin për ta mbajtur në ekip deri në vitin 2022. 25-vjeçari nuk pranoi të rinovonte, pavarësisht se po shkëlqen te Chelsea ku aktivizohet që nga viti 2011 dhe ka fituar dy herë titullin kampion.
Courtois ka bërë me dije se po mendon të shkojë në La Liga, për të qëndruar pranë dy fëmijëve të tij të vegjël që jetojnë në Madrid. Marta Dominguez, ish-bashkëshortja e portierit, jeton në Madrid dhe pasi çifti u divorcua në muajin prill, fëmijët kanë shkuar të jetojnë me të ëmën në Madrid. Në këto kushte, edhe Courtois po mendon transferimin për t’i qëndruar pranë gjatë rritjes së tyre. Kalendari i ngjeshur edhe gjatë ditëve festive e pengon futbollistin që takojë djemtë e tij, kësisoj po mendon seriozisht transferimin në La Liga, ku duket se Real Madrid e pret krahëhapur.
Real Madrid është vënë në kërkim të një portieri, pasi stafi teknik ka vendosur se Keylor Navas nuk jep më garanci për të qenë numri 1. Courtois dhe De Gea janë dy zgjidhet e tyre duke qenë se të dy e njohin mirë kampionatin spanjoll ku kanë luajtur me Atletico Madrid. Real ka kërkuar Courtois edhe në vitin 2015, por marrëveshja nuk u arrit sepse Chelsea kërkoi 90 milionë euro. Gjatë verës së ardhshme situata do të ndryshojë sepse londinezët do ta shesin për të mos e humbur me parametër zero në janar 2018. Jack Butland i Stoke City mund të jetë zëvendësuesi i tij në “Stamford Bridge”.