Shqipëria U21 luajti në dy ndeshje përballë Sllovakisë U21, të cilat i humbi, por pavarësisht rezultatit, u vu re performanca e sulmuesit Taulant Seferi. Ai ishte ndër më të dalluarit në fushë, duke asistuar te njëri nga golat e shënuar nga Manaj. Seferi është nën pronësinë e Jang Bojsit në Zvicër por aktualisht luan i huazuar te ekipi i Ëohlenit. Në një intervistë për “Vip Sport”, Seferi ka folur në lidhje me eksperiencën e tij në Zvicër, duke treguar edhe dëshirën për të luajtur me Kombëtaren A. I pyetur për lojtarët që vijnë nga Kategoria Superiore, Seferi shprehet se ata janë lojtarë shumë të mirë, të cilët mund të arrijnë te Kombëtarja e parë.
– Taulant, një dëmtim i rëndë ju ka mbajtur për disa muaj larg fushave dhe pas rikthimit, Jang Bojsi të huazoi te Vohleni. Si e komenton zgjedhjen e drejtuesve?
Seferi: Siç e dini, kam qenë shumë kohë i dëmtuar dhe besoj se huazimi te Vohlen më ka bërë shumë mirë për pasi tani po kthehem në formën më të mirë dhe po arrij ritmin e ndeshjeve.
– Me skuadrën ku luan aktualisht, luftoni për mbijetesë. A i ndieni rezultatet njëlloj si pjesa tjetër apo qëllimi yt është që të rritesh personalisht?
Seferi: Sigurisht që mendoj edhe për ekipin tim pasi jemi në një pozitë të keqe por shpresoj se do të kemi rezultate të mira deri në fund.
– A keni pasur oferta për ju nga skuadrat jashtë Zvicrës? Në cilin kampionat do të doje të luaje?
Seferi: Oferta zyrtare deri tani nuk di të kem pasur, por dëshira ime është që të rritem si futbollist dhe me shpresën te Zoti, besoj se një ditë do të luaj në ligat më të forta të futbollit evropian.
– Pas dy ndeshjeve pozitive në aspektin personal me kombëtaren e të rinjve, shënuat edhe në ndeshjen e fundit në kampionat. A mund të themi se Seferi është rikthyer në formë?
Seferi: Më vjen mirë që kam kaluar këto ndeshje shumë mirë por më duhet të punoj edhe më shumë. Ky huazimi që kam aktualisht më ka bërë mirë shumë personalisht për arsye se po luaj si titullar në çdo ndeshje.
– Në ndeshjet e Shpresave, ishit një ndër më të dalluarit në fushë. A e prisni një ftesë nga trajneri Panuçi për ndeshjet në maj?
Seferi: Unë po punoj shumë qe të arrij ëndrrën time dhe dua të arrij formën e cila më lejon të kem një ftesë nga Panuçi. Shpresoj të vazhdoj të bëj ndeshje të mira dhe mos të kem probleme e besoj se ftesa nga trajneri nuk do të mungojë.
– A është e vështirë arritja e Kombëtares qoftë edhe e Shpresave nga kampionati shqiptar, duke parë aftësitë e atyre që ishin pjesë?
Seferi: Unë mendoj se me punë mund te arrish gjithçka që ke dëshirë. Nëse jep maksimumin me klubin tënd, nuk mendoj se është e vështirë të arrish te Kombëtarja nga kampionati shqiptar, pasi siç e thash edhe më lart, Kategoria Superiore është një kampionat i fortë.