Fëmijët adhurojnë të flenë në një krevat me prindërit dhe kjo jo pa shkak. Lira Gjika, në një postim të detajuar në rrjete sociale, shpjegon se nga buron kjo dëshirë e fëmijës dhe si duhet të përgjigjen prindërit. “Shko në krevatin tënd!” Apo ,“Ti ke krevatin tënd!” nuk janë të mjaftueshme.
Statusi i Lira Gjikës:
“Fëmija shikon mamin dhe babin, të cilët flenë bashkë dhe kështu edhe ai apo ajo, do të flejë me ta. Të rriturit i thonë:- ti ke krevatin tënd, jo të flesh me mamin dhe babin. Dhe me kaq, mbaron sqarimi, pa u menduar se fëmija përveçse ka frikë edhe do të dijë pse prindërit flenë bashkë dhe përpiqet me të gjitha mundësitë e tij të mund të bëjë të rriturin t`i sqarojë ndonjë gjë. Mirëpo të rriturit bezdisen dhe i bien shkurt, ose e marrin në krevat të tyre ose ikin dhe e lenë vetëm. Qëndrimi i të rriturve, të cilët nuk e sqarojnë fëmijën, pse ai duhet të flejë vetëm, por vetëm pretendojnë nga ai, të zbatojë apo pranojë veprimet e të rriturve, nuk është më e mira që mund të bëhet.
Mirë do të ishte që i rrituri me durim, të bisedonte me fëmijën për gjumin dhe rritjen si një proces, që nuk mund t’i shmangemi. Për fat, asnjeri nuk merr mundimin apo t`i shkojë në mend, t`i tregojë fëmijës, pse babi dhe mami flenë bashkë. Ata flenë bashkë, sepse bëjnë dashuri, për të lindur fëmijët e tyre dhe për ta bërë familjen gjithnjë edhe më të bukur e të gëzuar. Kur të rritet edhe ai apo ajo, do të bëjë si mami dhe babi, do të gjejë vajzën apo djalin e ëndrrave dhe do të ndërtojë familjen e tij apo të saj. Themeli ku ndërtohet familja është dashuria. Njerëzit jetojnë të sigurt, kur e duan njeri tjetrin dhe kështu e largojnë frikën dhe mërzinë nga vetja. Kur frika dhe mërzia pushtojnë njeriun, njeriu nuk është i zoti të bëjë gjëra të bukura dhe të dojë familjen e tij. Ja, pak fjalë që mund t`i thuhen një fëmije, pse mami dhe babi flenë bashkë”, shkruan Lira Gjika.