Vite më parë kur mbërriti në Milano, Mauro Ikardi ndante “faqen” e gazetave me Ishak Belfodilin. Tani, kohët kanë ndryshuar shumë. Njëri luan për Standardin e Liezhit, kurse tjetri është kapiten i zikaltërve dhe bën që “Gazzetta dello Sport” t’i rezervojë plot dy faqe.
Në intervistën më të fundit të dhënë për të përditshmen sportive italiane, Mauro Ikardi zbuloi se lojtarët janë me trajnerin Stefano Pioli, ndërsa nuk u mendua dy herë për t’u kthyer përgjigje kritikëve të vet. Gjithashtu, ai nuk u tërhoq kur i kërkuan nëse do që të qëndrojë për shumë vite të tjera kapiten i zikaltërve.
A të ka kaluar zhgënjimi nga humbja me Romën?
Gjithmonë duhen lënë pas rezultatet negative dhe duhet shikuar përpara. Nëse ke luajtur si i barabartë me rivalin, e bën edhe më lehtë.
Goli që të afroi me Xhekon dhe Higuainin në klasifikimin e golashënuesve erdhi në javën kur Interi iu largua edhe më shumë Ligës të Kampioneve…
Vërtet na janë komplikuar shumë planet, por nuk jemi ende jashtë luftës për vendin e tretë. Matematika na lejon që të shpresojmë. Unë besoj shumë te kualifikimi në atë kompeticion, të gjithë ne kemi besim.
Dueli në distancë me “Pipitën” është i vlefshëm edhe për një ftesë në Kombëtaren e Argjentinës?
Sa i përket Kombëtares, më takon të them të njëjtat gjëra. Çfarë duhet që të bëj më shumë që të ftohem në Kombëtare? Unë kam për detyrë të luaj mirë tek Interi dhe të shënoj sa herë më jepet rasti, për të tjerat mendon trajneri.
Në Itali kanë luajtur sulmues si Batistuta, Milito, Balbo dhe Krespo, por asnjëri prej tyre nuk ka shënuar kaq shumë sa ti që në moshë të re. Sa të mungon ftesa e Bauzës?
Unë mund të them se jam gati dhe mezi po pres të vesh fanellën e Argjentinës.
Le t’i rikthemi asaj çfarë ka ndodhur në Itali në javët e fundit, ku Interit i është dashur të sfidojë si Juven dhe Romën. Cili prej dy ekipeve të ka bërë më shumë përshtypje?
Të dy janë të fortë, edhe pse kanë stile krejt të ndryshme loje. Në fund flasin trofetë dhe nëse Juvja është ekipi që fiton kampionatin, prej pesë sezonesh radhazi, mbetet ekipi për t’u mposhtur. Pra, është skuadra që luan më mirë dhe fjalët që thuhen kundër saj janë pa vlerë.
Çfarë i mungon Interit që të luftojë për titullin kampion? Kthesa duket se është pranë, por kurrë nuk ka ardhur…
Duhet të kemi mentalitetin fitues. Nuk mund të tregojmë forcën tonë vetëm në disa ndeshje, pasi vazhdueshmëria është një tjetër cilësi e rëndësishme e një ekipi fitues. Duhet të mësohemi me fitoret, duhet që të bëhen diçka e natyrshme jo e jashtëzakonshme.
Për të arritur këtë profil, atëherë a mendon se keni nevojë për një trajner të një profili të lartë?
Pak muaj më parë flitej për Simeonen, ndërsa tani ka dalë në skenë Konte. Nuk duhet që të shpërqendrohemi dhe të mbushim kokën me situata, të cilat nuk kanë lidhje me realitetin, edhe pse po flasim për aspekte që kanë lidhje me futbollin. Trajneri ynë është Pioli dhe ne do të bëjmë maksimumin për ta ndihmuar, ashtu si na ndihmoi edhe ai ne. Ai bëri që ne të jepnim më të mirën. Me atë në krye kemi hedhur një hap të madh.
Pioli në një intervistë që dha për “Gazzetta”-n tha se lajmet që flisnin për pasardhësit e tij nuk e trazonin…
Mirë ka thënë. Unë i besoj. Nëse trajneri vihet në dyshim pas rezultateve negative, atëherë përse lojtarët duhet të ndihen të sigurt?
Pra, ty të bind ndryshimi i skemës i kërkuar nga Pioli?
Besoj se ai modul na përshtatet më shumë se të tjerët, pasi kemi shumë kampionë të cilët janë gati të sakrifikohen për shokun. Rezultatet tregojnë se ne jemi në rrugën e duhur.
Kur flet për lojtarë që sakrifikojnë, i referohesh edhe vetes? Ti shënon një gol në çdo 38 prekje topi. Në ndeshjen kundër Romës të mjaftuan 32, por shpesh akuzohesh se nuk je pjesë e ndërtimit të lojës…
Unë këto karakteristika kam. Ka shumë mënyra për të ndihmuar ekipin, e imja është duke shënuar gola. Nuk më duket pak. Shumë thonë se nuk jam në brendë- si të mekanizmave të Interit, por tani boll! E kanë tepruar. Nëse kontrolloni sa asiste kam dhënë këtë sezon do të shikoni numrin tetë (për “Gazzetta”-n janë katër). Kontributin tim jam duke e dhënë, edhe duke ndihmuar të tjerët që të shënojnë.
Kur mbërrite në Itali, në intervistën e parë që dhe pohove se “Batigoli” ishte idhulli yt…
Vitet kalojnë, por idhujt nuk ndryshojnë. Me atë nuhatje që kishte ai për golin, nuk mund të jetë ndryshe.
Një tjetër argjentinas që ka pasur sukses në Itali ka qenë edhe Havier Zaneti. A e shikon veten kapiten i Interit edhe pas 10 vitesh?
Është një nder i madh për mua që të krahasohem me një pjesë të historisë të Interit si Havieri. Kur të jem në fund të kontratës, sigurisht që do të ulemi për të biseduar. Unë dua të qëndroj këtu.