Dua.com investon në aplikacionin Hello, arrihet partneritet strategjik në mes të dy kompanive

60

dua.com, platforma e cila ka për qellim bashkimin e shqiptarëve kudo në botë, ka njoftuar se ka realizuar një investim strategjik në aplikacionin Hello

Javën e kaluar gjatë një takimi të mbajtur në mes të dy palëve, themeluesi i dua.com Valon Asani së bashku me Arian Kastratin i cili është bashkëthemelues i Hello App, kanë nënshkruar marrëveshjen e cila zyrtarizon investimin e dua.com në këtë aplikacion.


Themeluesi i dua.com Valon Asani rreth këtij investimi është shprehur se: “Investimi strategjik dhe partneriteti me Hello App është një mundësi e shkëlqyer për dua.com. Ky aplikacion ka pothuajse 2 milion përdorues dhe tashmë që prej katërvitesh është prezent në treg. Ne mund të mësojmë shumë nga përvoja e tyre dhe të shkëmbejmë me njëri-tjetrin njohuritë, aftësitë dhe strategjitë e biznesit.
Ai më tutje ka shtuar se “takimet rreth këtij bashkëpunimi kanë filluar rreth 6 muaj më parë. Ndërkohë ne vendosëm të investonim në Hello App, sepse përputhja dhe qëllimet në mes të dy palëve ishin shumë të qarta. Të dy ekipet punojnë nga Prishtina, të dy aplikacionet i takojnë fushës së stilit të jetesës dhe kanë për qëllim t’i bashkojnë njerëzit.


Ndërsa Hello është në kërkim të audiencës nga i gjithë globi, dua.com është fokusuar vetëm tek shqiptarët nëpër vende të ndryshme të botës. Prandaj jemi entuziastë dhe mezi presim të forcojmë partneritetin tonë edhe më tej”.
Ndërsa bashkëthemeluesi i Hello App Arian Kastrati rreth këtij partneriteti ka thënë se “Jemi të lumtur që më në fund gjithçka u finalizua me një marrëveshje prej të cilës të dyja kompanitë përfitojnë, e sidomos në aspektin e eksperiencës. Besoj që pas kësaj marrëveshje do të kemi mundësi të mësojmë shumë nga njëri-tjetri.
Bisedat e takimet kanë rrjedhur shumë natyrshëm dhe kështu e kemi vërjetur se si mund të krijohet një efekt sinergjie, i cili na nevojitet për të arritur nivele edhe më të larta në fushën që operojmë”.
Themeluesi i dua.com Valon Asani & Bashkë-themeluesi i Hello App Arian Kastrati
Hello u themelua në vitin 2016 dhe që atëherë ka arritur pothuajse 2 milion shkarkime. I krijuar si një rrjet audio social, ky aplikacion ka për qëllim të mundësojë lidhje të reja midis njerëzve, me misionin përfundimtar për t’i bërë bisedat audio më tërheqëse. Vlen të theksohet se në vitin 2019 Hello App është vlerësuar me 1 milion euro, ndërsa sot kjo kompani ka arritur të vlerësohet me 3 milion euro.


Ndërkohë, e themeluar në vitin 2019, dua.com synon të bashkojë shqiptarët në mbarë botën përmes tri kategorive: dashuri, ndihmë dhe biznes. Pasi që lançimi i dua.com pritet të bëhet zyrtarisht në qershor të këtij viti, ky investim shënon një hap të madh jo vetëm për dua.com, por për të gjithë përdoruesit e të dy platformave.

Comments are closed.