Omer XHAFERI
Shkup, 28 nëntor – Shfuqizimi i nenit 175 të Ligjit për Komunikime Elektronike, ndonëse u paralajmërua se nuk do të ekzistoi më, sipas reformave që po bëhen në sistemin e sigurisë shtetërore, pritet të bëhet pjesë e Ligjit të ri për përcjelljen e komunikimeve, shkruan gazeta KOHA. Ndryshimet e reja që po bëhen në drejtim të rregullimit të çështjes së përgjimeve dhe mbrojtjes nga keqpërdorimet, Qeveria e kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev është duke i realizuar në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian. Dispozita e nenit 175, e miratuar në vitin 2014, i obligonte operatorët telefonik që të sigurojnë të gjitha kushtet e nevojshme teknike përmes të cilëve – Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim do t’i përgjojë (përcjellë) komunikimet e realizuar nga rrjetet e tyre. Sektori civil, por edhe ai profesional, duke u thirrur në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, para Gjykatës Kushtetuese në korrik të këtij viti parashtroi një iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë të nenit në fjalë. Megjithatë, nga kjo gjykatë nuk arritën të miratojnë vendim përfundimtar. Ndërkohë, nga Qeveria – me vendim paraprak, kërkuan nga Gjykata Kushtetuese ndalimin e kësaj procedure, me arsyetim se ato janë duke punuar në drejtim të reformimit të sistemit të sigurisë në vend. Detyrimet ligjore, të cilat operatorët telefonik deri më sot duhej t’i plotësojnë komfor dispozitave që burojnë nga Ligji për komunikime elektronike, pas miratimit të Ligjit të ri për përcjelljen e komunikimeve, të njëjtat do të përfshihen në nenin 60 të këtij ligji, i cili kryesisht parasheh raporte të ngushta mes operatorëve dhe Agjencisë tekniko-perative (ATO). Me disa plotësime të vogla, ashtu siç ishin raportet me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, operatorët telefonik duhet t’i respektojnë edhe gjatë bashkëpunimit me zyrtarët e ATO-së. Në këtë drejtim, neni 60 i Ligjit për përcjellje të komunikimeve parasheh se detyra e operatorëve kundrejt agjencisë së re që duhet të themelohet, janë sigurimi i të gjitha kushteve për përcjelljen e komunikimeve në rrjetet e tyre. Tutje, përmbledhja prej nëntë paragrafëve thotë se operatorët, me harxhime të tyre duhet t’i sigurojnë dhe mirëmbajnë pajisjet, të vendosin komunikime elektronike për transfer të rrjetit deri te ATO, me të vetmin qëllim zbatimin e masave për përgjime të rrjeteve të tyre. Operatorët telefonik po ashtu në raport me ATO-n, do të jenë të obliguar t’i sigurojnë të gjitha pajisjet ndërmjetësuese të cilët do të reflektojnë në sinjalin e agjencisë. “Në rast se operatorët kanë të vendosur kripto-mbrojtje ndaj një sinjali të komunikimit, atëherë ato janë të detyruar ta largojnë atë, para se të njëjtin ta transferojnë në komunikimin e radhës deri te ATO. Mes tjerash, operatorët telefonik, të cilët për momentin në shtetin tonë janë vetëm dy, kanë për detyrë që Agjencisë tekniko-operative t’i sigurojnë përcjelljen e komunikimeve në kohë reale. Informacioni për komunikimin e përgjuar duhet të jetë në dispozicion menjëherë pas përfundimit të bisedës, ndërkohë që përcjellja e saj duhet të jetë e vazhdueshme përderisa ajo zgjat. Përmbajtja e komunikimit të përgjuar, nga operatorët duhet të sigurohet në kohë dhe e njëjta të korrespondoj me informacionin e përcjellë”, thuhet në disa prej paragrafëve të nenit 60, të propozim-ligjit të ri për përcjellje të komunikimeve, shkruan KOHA. Angazhim tjetër të cilin duhet ta respektojnë operatorët telefonik është kualiteti i përgjimeve, gjegjësisht dispozitat ligjore i obligojnë operatorët që të kujdesen që personat, të cilat përgjohen – mos të vërejnë asnjë lloj të ndryshimit të shërbimit komunikues e kështu me radhë. Ndryshe, siç u paralajmërua ditë më parë, pasi deputetët të votojnë për themelimin e Agjencisë tekniko-operative, ata po ashtu do ta zgjedhin edhe drejtorin e këtij institucioni të ri, i cili në të ardhmen duhet të kujdeset që sistemi i përcjelljes së komunikimeve mos të keqpërdoret, ashtu siç ishte rasti me periudhën vjetor 2008-2015. (koha.mk)