Nga policia e Tetovës thonë se profesorët, por edhe autoritetet e shkollës duhet që rastet kur vërehen nxënës me lëndë narkotike, menjëherë të denoncohen, që të mos jetë vonë. Problem tjetër është edhe pirja e duhanit nga ana e fëmijëve. Sipas drejtorëve, duhet që të punohet më shumë me fëmijët edhe nga ana e prindërve, sepse fëmijët veset negative zakonisht i marrin jashtë objekteve shkollore
Urim HASIPI
Tetovë, 19 tetor – Përdorimi i lëndëve narkotike nëpër shkolla, pirja e duhanit, incidentet mes nxënësve në oborret e shkollave, kanë vënë në lëvizje institucionet kompetente, respektivisht policinë, sektorin e arsimit dhe autoritetet e shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës. Të njëjtit tashmë janë duke koordinuar aktivitete për të parandaluar këto dukuri nëpër shkollat e Tetovës, dhe për të mbajtur larg fëmijët nga delikuenca. Me këtë rast, në Tetovë u mbajt takimi me temë, “Droga, delikuenca e të miturve dhe prishja e rendit dhe qetësisë publike në shkolla dhe rreth tyre”. Të pranishëm për të diskutuar mbi këto probleme ishin përfaqësues të Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, nga Komuna e Tetovës, psikologët dhe pedagogët e shkollave fillore dhe të mesme të Tetovës. Edhe nga policia edhe nga Sektori i arsimit, insistojnë se nëpër shkolla fillore dhe të mesme brenda nuk janë hasur raste të përdorimit të lëndëve narkotike. “Sipas të dhënave që i kemi nga policia, nuk kemi përdorues apo shpërndarës në objektet shkollore, në oborr. Ajo që e kemi si informatë nga ana e policisë, nuk kemi prishje të rendit dhe të qetësisë publike në shkolla, kur dihet se vitin 2013 e përfunduam me 36 incidente, kurse vitin e kaluar kemi patur vetëm 4 raste. Ne do të insistojmë që edhe veset tjera negative, siç është pirja e duhanit, të luftohet, që të kemi shoqëri dhe fëmijë më të sigurt nëpër shkollat tona”, tha Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës.
Nga policia e Tetovës thonë se profesorët por edhe autoritetet e shkollës duhet që rastet kur vërehen nxënës me lëndë narkotike, menjëherë të denoncohen, që të mos jetë vonë. “Brenda oborrit të shkollave, në hapësirat e shkollave, apo gjatë orarit të mësimit, nuk kemi hasur rast se ndonjë nxënës është kapur me drogë, mirëpo rreth objekteve shkollore kemi regjistruar disa raste. Nëse ka raste që në afërsi të shkollave apo në brendi të saj ndodhin këto, atëherë profesorët apo autoritetet e shkollës duhet që të denoncojnë mënjëherë rastin, se nëse nuk e paraqesin në kohë, pastaj është vështirë që të merren masa”, tha zëdhënësi i Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Në ndërkohë, jo rrallë herë nëpër shkolla, por edhe nëpër autobusë gjatë kontrolleve në çantat e nxënësve janë gjetur thika, sende tjera të forta, në vend të librave. Drejtorët nga ana e tyre mohojnë se kanë gjetur sende të këtilla, por nënvizojnë se punojnë për të edukuar nxënësit. Problem tjetër është edhe prija e duhanit nga ana e fëmijëve. Sipas drejtorëve, duhet që të punohet më shumë me fëmijët edhe nga ana e prindërve, sepse fëmijët veset negative zakonisht i marrin jashtë objekteve shkollore. “Ne në shkollën tonë nuk kemi hasur në raste kur nxënësit janë kapur me drogë, por kemi hasur kur nxënësit pinë duhan. Këtu kemi problem, sepse duhet që edhe prindërit të kenë kontroll ndaj fëmijëve të tyre. Ne i informojmë ata kur fëmija i tyre kapet duke konsumuar duhan, por edhe një apel deri tek profesorët dhe mësuesit që mos të pinë duhan në shkollë, sepse kjo i motivon ata që të ndjekin rrugën e pirjes së cigares” tha Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”.
Në Tetovë, viteve të kaluara, incidentet mes nxënësve ishin në modë dhe regjistroheshin nga 30 raste brenda një viti shkollor. Sipas institucioneve kompetente, kohëve të fundit është ulur numri i incidenteve të këtilla. (koha.mk)