Lloji i një drogë deri tani të panjohur në Turqi është konfiskuar nga policia në aeroportin e Stambollit “Ataturk”. Vetëm një kilogram nga kjo drogë , e cila është në formën e pluhurit është i mjaftueshëm që të prodhohen 900 kilogramë drogë sintetike, njoftojnë autoritetet e aeroportit. Droga është zbuluar në çantën e një udhëtareje, e cila ka arritur me aeroplan nga Hong Kongu. Ekipi kujdestar i aeroportit nga drejtoria për luftë kundër kontrabandës së drogës ka dyshuar tek udhëtarja dhe ka kërkuar kontrollin e çantës së saj. Janë gjetur tre kuti, në të cilat është vendosur narkotiku. Gruaja ka konfirmuar se në kuti ka pasur proteina pluhur, ndërsa analizat laboratorike kanë treguar se bëhet fjalë për një lloj droge , e cila në Turqi nuk është e njohur. Udhëtarja është arrestuar, ndërsa policia e Stambollit në bashkëpunim me kolegët e saj në Hong Kong po zhvillojnë hetime për zbulimin e dërguesit të drogës. Ky është një nga narko-operacionet më të mëdha të policisë në aeroportin “Ataturk”. Vlera e dërgesë ishte rreth 3,7 milionë eurosh.