Nëse bëni një hulumtim të rastit, të gjithë bashkëbiseduesit e drejtojnë gishtin nga organet shtetërore, të cilët po tregohen tepër indiferent ndaj këtij fenomeni devijant. Ka plot rrëfime që fillojnë dhe mbarojnë me histori absurde të përfshirjes së segmenteve të caktuara policore në shpërndarjen e drogës. Kush mundet ta parandalojë këtë hata që po i kanoset shoqërisë sonë? Nëse vazhdon ky trend, rinia jonë do të shndërrohet në një ‘djerrinë’ që askujt nuk do t’i hyjë në punë në të ardhmen!!
Nga Emin AZEMI
Të zënë pas temave të mëdha, po ndodhë që në jetën tonë të na futen tinëzisht armiq të rrezikshëm që e bëjnë shumë të pasigurt të ardhmen tonë. Statistikat e fundit tregojnë se çdo i katërti i ri në Maqedoni e ka provuar drogën dhe kjo shifër alarmante tregon për gjendjen kaotike në të cilën ndodhemi si shoqëri dhe si shtet. Ajo çka është më shqetësuese në këto statistika, është se kufiri i moshës së përdoruesve gjithnjë është në rënie.
Droga po përdoret nga të rinjtë fillimisht nga kureshtja, apo nga qallëmi, të cilët nën ndikimin e moshatarëve e të tyre fillojnë të eksperimentojnë me drogat, duke mos ditur se çfarë rreziqesh pasojnë.
Në disa aksione policore që janë ndërmarrë vitin e kaluar, kanë dominuar rastet e konfiskimit të tabletave sintetike. MPB thotë se në lidhje me drogat sintetike dhe aksionet në shtëpi, disko, klube të natës, lloji i drogës që më shumë është konfiskuar është ekstaza.
Prania më e madhe e tabletave sintetikë, sipas sasisë së konfiskuar, është regjistruar në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Ohër. Sipas MPB-së, përdorimi i drogave sintetike shkakton varësi të fortë fizike dhe një gamë të gjerë të efekteve anësore dhe sëmundjeve. Në analizën e barnave të tregut –, kokainës, kanabisit dhe drogës sintetike të bëra nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), rreth 450.000 njerëz kanë vdekur vetëm në vitin 2015 si rezultat i përdorimit të drogës. Nga këto vdekje, 167.750 ishin të lidhur direkt me përdorimin e drogës. Një raport i kohëve të fundit nga ana e UNDC, paralajmëroi se gjatë vitit të kaluar, është rritur ndjeshëm prodhimtaria e metamfetaminës në Azinë Juglindore, duke shkaktuar furnizim të tepërt të drogës në këtë rajon.
Rasti nga viti 2017 është tepër shqetësues pas një hetimi të gjatë ndërkombëtar në bashkëpunim midis Serbisë dhe Maqedonisë, shërbimi sekret i Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë zbuloi laboratorin më të madh për ilaçe të paligjshme sintetike në Ballkan. Laboratori ishte vendosur në Reçicë të Vogël në Tetovë. Laboratori ishte krijuar nga qytetarë serbë dhe maqedonas. Droga që ishte prodhuar ishte shitur kryesisht në Serbi, Maqedoni dhe në vendet tjera përreth.
Kjo përhapje kaq epidemike e drogës në vendbanimet tona, sidomos në hapësirat shkollore, është një alarm që do të duhej të aktivizonte të gjithë. Kjo shtron domosdonë e hapjes ë programeve për trajtimin dhe kujdesin e të rinjve të cilët përdorin drogë, pasi që këto programe momentalisht nuk ekzistojnë në Republikën e Maqedonisë. Të rinjtë duhet të informohen dhe edukohen mbi rreziqet nga përdorimi i drogës, kurse prindërit dhe arsimtarët janë hallkat kryesore që duhet të funksionojnë në parandalimin kësaj dukurie të keqe.
Nëse bëni një hulumtim të rastit, të gjithë bashkëbiseduesit e drejtojnë gishtin nga organet shtetërore, të cilët po tregohen tepër indiferent ndaj këtij fenomeni devijant. Ka plot rrëfime që fillojnë dhe mbarojnë me histori absurde të përfshirjes së segmenteve të caktuara policore në shpërndarjen e drogës.
Kush mundet ta parandalojë këtë hata që po i kanoset shoqërisë sonë? Nëse vazhdon ky trend, rinia jonë do të shndërrohet në një ‘djerrinë’ që askujt nuk do t’i hyjë në punë në të ardhmen!!