Dritëhijet e kauzave shqiptare

56

Në Kosovë, sakrifica sublime e Adem Jasharit nuk është shndërruar në një ikonë kolektive të heroizmit të popullit, dhe për rrjedhojë – sot më tepër flitet për komandantë zonash, e më pak për sakrificë kolektive të një populli të tërë

Nga Emin AZEMI

Asnjë shoqëri, e lëre më shtet, nuk mund të mbijetojë pa kauzat e veta sublime. Njerëzit zakonisht nuk shquhen vetëm me veprat dhe projektet që i realizojnë në momente të caktuara, por edhe me kauzat e tyre të cilat qëndrojnë si themele mbi ideale. Pra një kauzë mund të prodhojë efekt shumëfish më të madh nëse ajo karakterin mobilizues e shtrin në të gjitha kapilarët e një shoqërie. Me fjalë të tjera, kauzat mund të jenë të përjetshme, kurse veprat dhe projektet – e përkohshme.
Nëse i hedhim një sy historisë së shkurtër të Kosovës së 20 viteve të fundit, do të vërejmë se atje pati një proces mjaft aktiv në shtetndërtim, që u shoqërua me vendosjen e disa parametrave institucional e kushtetues, si atribute të domosdoshme të ngritjes së shtetit nga pozita zero, pas përfundimit të luftës dhe përzënien e forcave okupatore serbe.
Por sa ky shtetndërtim pati në themel kauzën e përjetësisë? Në fakt, kauza kishte ndodhur para se ajo të shndërrohej në akt kolektiv të mbamendjes, siç është, bie fjala, rasti me flijimin e familjes Jashari në Prekaz të Drenicës. Kjo sakrificë sublime që identifikohet me figurën emblematike të Adem Jasharit, me kalimin e kohës nuk e mori statusin që e meritonte, por mbeti në suaza të një shënimi të përvitshëm ceremonial, me aktivitete tash më klishe, ku shteti paraqitet më tepër si arbitër për të kryer obligimin e radhës ndaj heroit, se sa si një përkushtim permanent që duhet shtrirë në planin shumëdimensional të jetës publike e shpirtërore të Kosovës.
Kjo mënyrë ceremoniale e sipërfaqësore e skicimit të heroizmit në praktikën institucionale të Kosovës nuk arriti të ngre në kod kulturor një kauzë e cila me dinamikën dhe dramacitetin e vet kishte përmasat e një flijimi titanik.
Figura e Adem Jasharit në vend se të gdhendej në gravurën kolektive të heroizmit të popullit të Kosovës, ajo u fragmentua në ofiçinat e politikës së ditës. Për rrjedhojë ne sot nuk e kemi dimensionin e heroit kolektiv, që ishte një popull i tërë i martirizuar, por kemi heronj lokal, të cilët ngrihen në formë statujash më tepër për të shëruar egot individuale të politikanëve lokal, të cilët më lehtë e kanë të identifikohen me heronjtë e vdekur, se sa me një popull të tërë-hero, që i mbijetoi gjenocidit të egër serb. Kjo po ndodhë si pasojë e mungesës së sensit për të projektuar kauza mbi ngjarje që edhe sot vazhdojnë të prodhojnë efekte epike me përmasa kolektive.
Populli hebre nuk mbetet kampion i edukatës dhe kulturës së lartë të memorimit të së kaluarës nëse do të ishte përqendruar vetëm në raste individuale të heroizmave. Holokausti sot mbetet model i kodifikimit të sakrificës sublime në dimensionin kolektiv. Një model të tillë edhe Kosova ka pasur nevojë ta ngre në kauzë, mirëpo atje ka mbisunduar prirja romantike për të projektuar heroizmin individual si vegël e legjitimimit të politikave ditore.
Dritë-hijet e kauzave në hapësirën mbarëshqiptare patën morfologjinë e tyre, ngjashëm me efektet finale që kishin disa aksione qytetare, ku rezultatet dolën të jenë tepër dëshpëruese. Në Tiranë, bie fjala, dështoi mbrojtja e Teatrit Kombëtar, për arsye se kauza ishte ndërtuar mbi aksioma të paqarta dhe eklektike të aksionit civil.
Në Kosovë, sakrifica sublime e Adem Jasharit nuk është shndërruar në një ikonë kolektive të heroizmit të popullit, dhe për rrjedhojë – sot më tepër flitet për komandantë zonash, e më pak për sakrificë kolektive të një populli të tërë.
I vetmi përjashtim që mund të merret si model, është Shkupi i muajve të fundit, ku Nëna Terezë po kodifikohet si një kauzë sublime e absorbimit të energjive krijuese. Bartësit e kësaj kauze, të grumbulluar kryesisht rreth ITSHKSH, për herë të parë praktikuan metodën e presionit publik pa përdorur mjete politike dhe për rrjedhojë ky presion rezultoi në rikthimin e një padrejtësie gjuhësore në pllakën përkujtimore të Nënës Terezë, pikërisht me rastin e 40 vjetorit të shpalljes së saj QYETARE NDERI të Shkupit. Ky ishte edhe një sinjal që iu drejtua të gjithë atyre që nuk ishin mësuar të arrijnë objektiva të caktuar pa pasur nevojë të krijohen polarizime shoqërore e etnike. Vetëm një menaxhim brilant i kësaj kauze mund të prodhojë situata të tilla joacaruese. (koha.mk)

Comments are closed.