Arsyeja pse bëhen studime të tilla, gjithsesi, lidhet me nevojën e vendosjes së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis përmirësimit të rezultateve në shëndetësi dhe arsim, produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Por, kjo do të ishte e pamjaftueshme nëse politikat publike nuk hartojnë strategji afatgjate për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë, si shtyllat bartëse në zhvillimin e resurseve humane
Nga Emin AZEMI
Investimi në shëndetësi dhe arsim nuk ka marrë vëmendjen që meriton gati në të gjitha vendet e rajonit. Kjo është bërë e ditur në një Studim të Bankës Botërore, i prezantuar ditëve të fundit, që është edhe një udhërrëfim për politikëbërësit, si dëshmi bindëse se ngritja e kuotave të cilësisë në shëndetin dhe shkollimin e fëmijëve mund t’i rrisë ndjeshëm të ardhurat e një vendi, me përfitime që do të kenë efekte edhe në të ardhmen e largët.
Jo rastësisht kapitali njerëzor është konsideruar si një ndër faktorët vendimtarë në stimulimin e rritjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse ekonomike. Jo rastësisht thuhet që për më të varfrit, shpesh kapitali njerëzor është kapitali i vetëm që kanë. Por, kjo nuk mjafton. Detyrë e qeverive është që ka rrisin mbulimin dhe cilësinë e arsimimit dhe kujdesit në fëmijërinë e hershme, si faktor vendimtar në produktivitetin e mëpastajmë, në moshat madhore.
Kapitali njerëzor, do të kishte rëndësi të veçantë për të gjitha vendet, në të gjitha performansat e të ardhurave, vetëm me kusht nëse ai me përvojë dhe dije konkurron në ekonominë e së ardhmes. Ky kapital është i matshëm përmes një indeksi që ndryshe studiuesit e kanë kualifikuar si Indeksi i Kapitalit Njerëzor (IKNJ). Zakonisht ky Indeks mat nivelin e kapitalit njerëzor që një fëmijë i lindur sot mund të presë të arrijë deri në moshën 18-vjeçare, ndërkaq ai përbëhet nga pesë tregues: probabiliteti i të arriturit të moshës pesëvjeçare, sa vjet shkollim pritet të kryejë fëmija dhe sa do të mësojë, norma e të jetuarit në moshë të rritur (përqindja e 15-vjeçarëve që do të arrijnë moshën 60-vjeçare) dhe përqindja e fëmijëve me zhvillim normal.
Indeksi është pjesë e një projekti të Bankës Botërore, Projekti për Kapitalin Njerëzor, i cili e njeh kapitalin njerëzor si faktor të rritjes gjithëpërfshirëse. Krahas Indeksit, Projekti për Kapitalin Njerëzor përfshin një program për fuqizimin e punës kërkimore dhe matjeve mbi kapitalin njerëzor, si edhe për mbështetjen e vendeve për ta përshpejtuar progresin në rezultatet e kapitalit njerëzor.
Sipas studimit më të ri të Bankës Botërore, rezulton që të miturit në Maqedoni studiojnë 11.2 vjet, por dinë sikurse të mësojnë vetëm 6.8 vjet. Të dhënat mbi Indeksin e Kapitalit Njerëzor (IKNJ) të gjetura nga ky studim tregojnë se fëmijët e lindur në Maqedoni arrijnë 53 për qind të potencialit të tyre të kapitalit njerëzor kur rriten, ndërkaq në Shqipëri produktiviteti shkon deri në 62%, me kusht që të ndodhë një arsimim i përfunduar dhe shëndet i plotë.
Arsyeja pse bëhen studime të tilla, gjithsesi, lidhet me nevojën e vendosjes së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis përmirësimit të rezultateve në shëndetësi dhe arsim, produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Por, kjo do të ishte e pamjaftueshme nëse politikat publike nuk hartojnë strategji afatgjate për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë, si shtyllat bartëse në zhvillimin e resurseve humane. Për rrjedhojë, që konfirmon edhe në studimin e fundit të Bankës Botërore, në periudhën afatgjate, mundësitë e hershme për mësim sjellin arritje më të larta mësimore, produktivitet më të lartë pas shkollës dhe të ardhura më të larta dhe kanë një shkallë më të lartë përfitimi për grupet në pozita të cenueshme.