Ministri i Kulturës në Britaninë e Madhe Oliver Douden bëri me dije për opinionin publik britanik se qeveria po planifikon të nisë aktivitetet futbollistike në mesin e muajit të ardhshëm, madje po mendohet që takimet të ndiqen pa pagesë. Kjo nismë e fundit është propozuar për të garantuar qëndrimin në shtëpi të qytetarëve në mënyrë që të shmangin daljet jashtë orarit zyrtar të qarkullimit dhe për t’i mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.
“Bisedova në mënyrë konstruktive me Federatën Angleze, Premier Ligën dhe Ligën Angleze ditën e enjte. Po punojmë fort për t’u kthyer në mesin e muajit qershor. Nëse mund ta realizojmë këtë në mënyrë të sigurt, duhet të zbatohen kërkesat e Ministrisë së Shëndetit Publik. Gjithashtu, shpresojmë të arrijmë diçka më ambicioze duke garantuar më tepër ndeshje pa pagesë për qytetarët”, deklaroi ministri Douden.
Ky është sinjali i parë nga qeveria britanike për të lejuar rinisjen e kampionateve pasi prej kohësh kryeministri Boris Xhonson nuk ka dhënë një vendim përfundimtar rreth rinisjes apo mbylljes së aktiviteteve futbollistike në ishullin britanik.