Shqiptarët në Maqedoni nuk do të donin të trajtohen më si mëhalla “të epërme” e “ të poshtme”, ku apartçikët e partive politike do të vendosnin sferat e tyre të dominimit tribal. Nëse te maqedonasit aktualisht ekzistojnë dy opsione politike që burojnë në disa ideologji, te shqiptarët edhe më pak ka arsye të bëhet politikë kaq e madhe me parti që ekzistojnë më shumë për t’u kacafytur në mes veti se sa për të avancuar problematika të hapura në nivele më të larta
Nga Emin AZEMI
Ndonëse na ndajnë më pak se dy muaj nga referendumi, opinioni publik ka filluar të testohet nga institucione e faktorë të ndryshëm. Matjet e fundit të disponimit të publikut tregojnë për një epërsi të vogël në favor të referendumit si deklarim PRO, dhe mbetet edhe mjaft punë për t’u finalizuar përshtypja, nëse qytetarët e Maqedonisë kanë vendosur të përcaktohen për ndonjë kurs të ri, apo të përkrahin status-quon. Shqiptarët në anketat e fundit dalin më të motivuar dhe deklarimin e tyre duhet shikuar në kontekst të rrethanave që ka kaluar vendi, duke iu dhënë shans forcave që mund të përmbysin realitetet e zymta.
Ndonëse anketat jo gjithmonë janë tregues real i gjendjes së një shoqërie, ato megjithatë japin indikacione që mund t’iu shërbejnë faktorëve të ndryshëm për të korrigjuar veprimet dhe sjelljet e caktuara që mund të arkëtojnë edhe më shumë simpati në masë. Hetohet gjithashtu edhe një ndarje, një dallim në mes të etnive dhe kjo e ka gjenezën e vet të argumentimit. Në matjet e fundit të disponimit të opinionit publik, shqiptarët dalin shumë përpara maqedonasve në mbështetjen e referendumit. Po ta përkthejmë në terma politikë, rezulton që shqiptarët janë më të angazhuar në frymën e ndryshimeve europiane që duhet ta përfshijnë edhe Maqedoninë. Referendumi që jep edhe përgjigjen nëse Maqedonia do të lëviz nga Europa, apo do të ngelë aty ku e kishin lënë mitologët e politikave ataviste ballkanase, në fakt është lajtmotivi që i bashkon dhe i ndan prirjet kulturore, politike e civilizuese të qytetarëve.
Shqiptarët as zero arsye nuk kanë që të ngelin në këto mjegullnaja mitologjike, kurse të gjitha politikat që mundohen të vendosin standarde të krahasueshme me ato të BE-së, janë një inkurajim plus për të mbështetur jo vetëm Marrëveshjen me Greqinë, por edhe perspektivën që nxit ajo pas integrimit në NATO dhe BE.
Dy partitë konkurruese maqedonase – LSDM dhe VMRO, sërish gurin e tyre të sprovës po e vendosin edhe në kantarin e shqiptarëve. Kësaj radhe peshorja ka anuar nga LSDM , jo vetëm si kundërpeshë ndaj VMRO-së, por edhe si pjesë e mentalitetit politik që po ingranohet brenda trupit elektoral të partisë maqedonase në pushtet.
Kjo është edhe një dritë alarmi për subjektet shqiptare, të cilat kanë edhe shumë punë për të bërë në terren, sepse filozofia e deritanishme politike e propagandës folklorike ka marrë fund. Njerëzit kërkojnë rezultate konkrete. Ata kërkojnë të realizohen ato që janë premtuar nëpër fushata zgjedhore. Në të kundërtën, shqiptarët mund të hyjnë edhe pa trokitur nëpër dyert e partive maqedonase. Këto të fundit, sidomos LSDM i ka zbritur aq poshtë kriteret e përzgjedhjes, sa që nuk është habi që një ditë të shohim në këtë parti turli shqiptari, i cili të gjitha boshllëqet e veta si njeri e si votues mundohet ti kompensojë në LSDM.
Shqiptarët në Maqedoni nuk do të donin të trajtohen më si mëhalla “të epërme” e “ të poshtme”, ku aparatçikët e partive politike do të vendosnin sferat e tyre të dominimit tribal. Nëse te maqedonasit aktualisht ekzistojnë dy opsione politike që burojnë në disa ideologji, te shqiptarët edhe më pak ka arsye të bëhet politikë kaq e madhe me parti që ekzistojnë më shumë për t’u kacafytur në mes veti se sa për të avancuar problematika të hapura në nivele më të larta. Sa më shumë të ekzistojnë ambicie të tilla fragmentuese, aq më të forta mund ti bëjmë partitë maqedonase, duke iu dhuruar “gjak të ri” elektoral për përfitime që mund të kenë karakter më tepër individual e fare pak kolektiv. Por, përgjegjësia për këtë bie mbi ata që parapëlqejnë të jenë të parët në katund. (koha.mk)