SPD shënon rritje të popullaritetit prejse e ka zgjedhur për kandidat të vetin për zgjedhjet e ardhshme ish presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz. Sipas të dhënave të hulumtimit të Emnida, nëse ishin ndodhur zgjedhjet sot, për SPD kishin votuar 34 për qind të gjermanëve, derisa partia CDU dhe partia simotër të saj CSU do të kishin fituar 33 për qind të votave. Nga këto të dhëna shumë më me rëndësi është fakti se partia e Schulzit për vetëm katër javë kërceu për 12 për qind. Nervozizmin në koalicionin qeverisës kohë më parë e tregoi edhe ministri i financave Wolfgang Schauble, i cili në stilin e vet, pa pikë diplomacie, e paralajmëroi Schulz’in se “po sillet si një Donald Trump gjerman”, dhe se në mënyrë të pamatur po e shfrytëzon retorikën populliste. Pa marrë parasysh, rezultatet e anketës paraqesin presion shtesë ndaj Merkel’it, e cila deri tani ka qenë absolutisht e pamposhtur, dhe është duke vrapuar pas mandatit të saj të katërt në krye të Gjermanisë me CDU/CSU. Përkrahja për kancelaren aktuale është në rënie në radhët e veta, sepse shumica nga pjesa bavareze e CSU haptas e kritikojnë politikën e saj ndaj refugjatëve dhe vendimit që prej vitit 2015 të hapen dyert për të gjithë. Siç transmeton Politiko, rezultatet e Emnida janë edhe një argument se i besohet Politbarometrit të ZDF-së gjerman i cili pretendon se 49 për qind të gjermanëve konsiderojnë që Schulz duhet të bëhet kancelar i ri, derisa pas Merkelit janë renditur 38 për qind të votuesve. Zgjedhjet në Gjermani janë planifikuar për shtator dhe paraqesin një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Evropë sivjet.