Bujar KURTAJ
Shkup, 12 janar – Ashtu siç ishte e paralajmëruar, drejtuesit e rinj të FC Shkupit dje prezantuan katër përforcimet e reja që janë në afatin kalimtar të janarit dhe me të cilat skuadra shkupjane synon fillimisht mbijetesën e pastaj edhe garat evropiane. Ky është sinjali që dërgoi numri një i FC Shkupit, Shefket Demiri gjatë prezantimit të futbollistëve të angazhuar deri më tani. Ai nuk zbuloi emrat e futbollistëve, por potencoi se janë në bisedime edhe me tre futbollist të tjerë me çka edhe do të mbyllin afatin kalimtar.
“Dua të përsëris edhe një herë se FC Shkupi do të jetë në rang me KF Shkëndija dhe KF Vardar. Sa i përket përforcimeve, këto që po i shihni janë përforcimet e para, por në anën tjetër jemi duke punuar edhe për përforcime të tjera deri para udhëtimit për në Antali. Besojmë se do të jenë edhe dy-tre përforcime kualitative do të na bashkëngjiten”, tha Demiri , president i FC Shkupi.
Në anën tjetër, Omer Bunjaku, nënkryetari i FC Shkupit potencoi se synimi parësor është që skuadra nga Çairi , nëse jo në këtë sezon, vitin e ardhshëm të garojë për titullin kampion. Ndërkohë që të gjithë katër futbollistët e rinj, por edhe me eksperiencë, deklaruan se janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në terren dhe se do të bëjnë çmos që FC Shkupi të kthehet në shtigjet e vjetra të suksesit.
“Mund të premtojë se do të jap maksimumin në çdo ndeshje , do të jap më të mirën nga vetja dhe kjo do të jetë e mjaftueshme për të arritur qëllime te caktuar nga Shkupi. Ne jemi skuadër dhe besoj se ekipi do të prodhojë një individ , i cili do të jetë lider dhe do të bartë presionin në këtë dhe sezonin e ardhshëm“, tha Bazhe Iljoski, përforcimi i fundit i FC Shkupit.
Ilijoski gjithashtu paralajmëroi se do të ketë “bomba” në Çair. “Sigurisht se dëshiroj të shënojë shumë gola për Shkupin. Kemi bërë një skuadër, e cila do të sjell rezultate pozitive por edhe gëzim tek të gjithë tifozët. Sa më shumë ‘bomba’ në rrjetat e kundërshtarëve, aq më mirë”, deklaroi Ilijoski.
Ndërkohë, njëri prej super-talenteve të futbollit shqiptar, Rron Broja tha se është i befasuar me pritjen e madhe që i është bërë të FC Shkupi.
“Jam shumë i kënaqur që jam pjesë e Shkupit. Një klub me histori dhe traditë të madhe si dhe me një tifozeri të zjarrtë. Shpresojë se do të arrijmë suksese të mëdha së bashku”, u shpreh para gazetarëve Broja , mesfushori i FC Shkupit dhe kapiteni i përfaqësueses së Kosovës.
“Shkupi po bën një skuadër për arritje të mëdha. Besoj se në pranverë do të dëshmojmë në fushë se Shkupi ka fuqi dhe kapacitet që së shpejti të ‘luftojë’ për tituj në futbollin vendor”, tha Lamçevski
“Ambiciet e klubit maksimalisht u përshtaten dëshirave të mia për paraqitje të suksesshme. Kam ardhur këtu i etur për rezultate pozitive, duke besuar se së shpejti maksimalisht do të jem i gatshëm ti ndihmoj ekipit”, u shpreh Vujçiç.
Katër futbollistët e rinj por edhe të tjerët të cilët do të bashkëngjiten gjatë ditëve në vijim, do ti vihen në dispozicion trajnerit Ardian Nuhiu.