Fiorentina vendosi të konfirmojë Giuseppe Iachinin në pankinë verën e kaluar, por rezultatet e këtij fillim-sezoni nuk janë aspak në nivelin e pritshmërive të klubit vjollcë, që në 4 ndeshjet e para ka arritur të marrë vetëm 4 pikë. Humbja me Sampdorian në shtëpi në fillim të muajit, por edhe barazimi i djeshëm në transfertën ndaj Spezias, që për më tepër erdhi pas një avantazhi të dyfishtë të krijuar që në minutat e para, kanë vënë vërtetë në pikëpyetje të ardhmen e trajnerit.
Deri më datën 7 nëntor Fiorentinën e presin edhe 4 ndeshje, duke filluar nga sfida me Udinesen më datën 25, përballja me Padovën në Kupën e Italisë më datën 28 dhe më pas transfertat ndaj Romës e Parmës më datat 1 dhe 7, ndeshje këto ku Iachini do të luajë fatin e tij në Firenze. Kjo pasi drejtuesit e klubit të Fiorentinës kanë nisur të mendojnë seriozisht për emërimin e Maurizio Sarrit në stol dhe kanë bërë edhe kontaktet e para me ish trajnerin e Juventusit, ndaj koha ideale për të bërë ndryshimin në pankinë është ndërprerja dy javore e kampionatit në nëntor.
Deri atëherë Iachini duhet të tregojë se e meriton stolin e Fiorentinës, pasi me emrat që klubi vjollcë ka në organikë, është një skuadër që duhet të pretendojë diçka më tepër se mesi i tabelës dhe sigurisht që drejtuesit e ekipit nuk mund t’i japin shanse pafund. Por deri atëherë edhe Maurizio Sarri duhet të prishë kontratën që e mban të lidhur me Juventusin dhe avokatët e ish trajnerit kanë nisur bisedimet me drejtuesit e torinezëve për të gjetur një marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Kontrata e Sarrit me Juven skadon në verën e 2022-shit dhe ish trajneri ka ofruar të heqë dorë nga paga e vitit të fundit, nëse bardhezinjtë do të pranojnë prishjen e menjëhershme të kontratës, gjë që u intereson edhe torinezëve, pasi do të kursenin rreth 15 milionë euro.