Shkup, 24 nëntor – Maqedonia nuk ka asnjë ciceron të licencuar turistik. Të gjithë, tani për tani 804 ciceronë turistikë në vend, punojnë me legjitimacion, e jo me licencë.
Edhe derisa posedimi i licencës ende nuk detyrohet me ligj, kriteret për marrjen e legjitimacionin janë përafërsisht të thjeshta: posedimi i certifikatës për dhënien e provimeve për ciceron turistik të njërit prej fakulteteve për turizëm (në Shkup, Ohër dhe Shtip), certifikatë për shtetësi të Maqedonisë dhe certifikatë për njohje të gjuhës (e cila është kaluar me provimin e dhënë në vitin e parë të fakultetit).
Për këto arsye, taksistët, drejtuesit e varkave dhe pronarët e akomodimeve private shpesh janë edhe ciceronë turistikë. Kanë legjitimacion për çka, pavarësisht se çfarë cilësie ofrojnë, inspektimi nuk mund të bëjë asgjë. Kjo, thonë nga Shoqata për ciceronë turistik dhe filiale të RM-së, dukshëm e devalvojnë profesionin.
“Duhet t’i ngrisim kriteret dhe të insistojmë në marrje të licencës. Në këtë drejtim janë edhe ndryshimet ligjore të cilat i përgatisim dhe për të cilat do të bisedojmë nesër dhe pasnesër në Odën ekonomike. Pastaj, më 1 dhjetor, propozimet do t’i nxjerrim edhe para përfaqësuesve të institucioneve kompetente”, deklaroi kryetari i Shoqatës, Branko Bosilkov.
Në një bisedë për MIA-n, Bosilkov tregon se ciceronë të licencuar turistikë nuk do të ketë derisa nuk ndryshon Ligji për hotelieri dhe turizëm.
Nga 804 ciceronët aktualë me legjitimacion, aktivë janë 350 – 360. Shumica flasin gjuhë angleze, ka edhe të tillë të cilët dinë turqisht, frëngjisht, italisht, rusisht, ndërsa një numër i vogël i atyre që dinë gjuhën holandeze, vetëm tre, që është shumë pak duke e pasur parasysh se turistët nga Holanda janë ndër më të shumtë në Maqedoni.
Ciceron i legjitimuar, ndërkaq, që njeh një prej gjuhëve të Lindjes, si gjuhë kineze, japoneze, tani për tani nuk ka.
Për legjitimacion për ciceron turistik provime jepen çdo ditë. Përveç 804 ciceronëve aktualë, këto ditë pritet legjitimacion të marrin edhe 30 ciceronë të rinj turistikë, informojnë nga Shoqata për ciceronë turistikë dhe filialet e RM-së.