Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) dha dorëheqjen të mërkurën me kërkesë të presidentit Joe Biden, pak kohë pas betimit të presidentit.
Michael Pack shërbeu për pak më shumë se shtatë muaj të trazuar si shef ekzekutiv i agjencisë, sipas legjislacionit të ri që i jepte atij përgjegjësi të zgjeruara.
Mandati i ish producentit konservator të filmave dokumentarë u shënua me procese gjyqësore, ankesa të sinjalizuesve, kërkesë nga Kongresi për ta detyruar të paraqitej në një seancë mbi agjencinë që ai drejton, si dhe vendime të gjykatës që i ndaluan atij të ndërhyjë në operacionet e organizatave që mbikëqyren nga USAGM, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Fondin e Teknologjisë së Hapur, i cili mbështet lirinë globale të internetit.
Në një letër lamtumire për punonjësit, zoti Pack tha se ishte “përqendruar vetëm në riorientimin e agjencisë drejt misionit të saj dhe” për të ndihmuar agjencinë që t’i tregojë botës rrëfimin për Amerikën në mënyrë objektive dhe pa paragjykime”. Zoti Pack shtoi se beson që nën udhëheqjen e tij u përmbushën “reforma shumë të nevojshme”
Sidoqoftë, shumë nga veprimet e tij u dënuan nga kritikët në Capitol Hill si dhe grupet për mbrojtjen e lirisë së medies dhe sinjalizuesve.
Në një letër të shpërndarë nga mbështetësit e zotit Pack dhe që thuhet të jetë teksti i dorëheqjes së tij zyrtare, ai e cilësoi kërkesën e administratës Biden për dorëheqjen e tij si “një akt partiak”. Zoti Pack shtoi se konfirmimi i tij në Senat parashihte një mandat tre-vjeçar për të siguruar që kreu i agjencisë ishte “i paprekshëm” nga ndryshimet në administratë.