Shkup, 21 shkurt – Shkëndija sot ka pasur një vizitë të rëndësishme, me ndërmjetësim të Ministrit për Investime të Huaja të Republikës së Maqedonisë, Goran Mickoski, në zyrat e klubit ka qëndruar zyrtari nga FC Barcelona, Inaki Andreu drejtor i projekteve të Akademisë së Barcelonës për Evropë. Lajmi konfirmohet edhe nga drejtuesit e klubit në faqen zyrtare të klubit kuqezi. Ai ka realizuar takim me zëvendës presidentin e klubit, Agim Kurtishin dhe udhëheqësin e Departamentit për Marrëdhënie me jashtë, Alban Bogaj. Palët kanë vizituar edhe stadiumin ekzistues projekti për rikonstruimin e të cilit pritet të filloj shumë shpejtë. Në takim është folur për zhvillimin e Akademisë, mysafirit i është shpjeguar historia e klubit dhe projekti që është në ndërtim e sipër prej kur “Ecolog” është sponsor i Shkëndijës. Në të ardhmen e afërt priten edhe takime të tjera me synim realizimin e projektit të shkollës së futbollit sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.