Drejtori i OBSH i drejtohet Qeverive: Zgjidhja nuk është të mbyllësh njerëzit në shtëpi, por t’i testosh

236

Pacientët e shtruar në spitale trajtohen me serume dhe ilaçe që lehtësojnë gjendjen me shpresën se trupi do t’i përgjigjet virusit, por nuk kanë ende një medikament që prek vetë virusin. Rrjedhimisht, zgjidhja nga shumë shtete është gjetur tek parandalimi, pra izolimi. Këshilltari i lartë i Drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetit, Dr. Bruce Aylward thotë se izolimi pa testimin masiv nuk do ta zgjidhë problemin, raporton Time.

Sipas tij, deri në gjetjen e vaksinës, zgjidhja është (1) zbulimi sa më parë dhe i sa më shumë të infektuarve dhe pas zbulimit (2) izolimi i rasteve të zbuluara. Aylward thekson se zbulimi mund dhe duhet bërë përmes kryerjes së testeve masive të popullsisë duke ndjekur shembullin gjenial të Koresë së Jugut. Kjo e fundit aplikoi testimin masiv dhe jo rast pas rasti siç veprojnë sot shumë shtete, mes të cilëve Shqipëria. Testimi masiv bën që të zbulohen shumë të prekur brenda një kohe të shkurtër duke marrë masa direkte ndaj tyre, si izolimi, vetë-izolimi dhe trajtimi në spital nëse do jetë nevoja.

Kjo liron të tjerët që të mund të vijojnë jetën normale duke respektuar masat mbrojtëse. Aktualisht, mjaft vende po aplikojnë kufizimin e lëvizjeve, por sipas Dr. Bruce Aylward kjo nuk do funksionojë pa testimin masiv sepse virusi do vazhdojë të jetë te njerëz të paekzaminuar ende ose mund të shpërthejë një moment tjetër. Mundësia e shpërthimit të virusit në një moment të dytë nëse aplikohen vetëm kufizimet është konfirmuar edhe nga studiues të tjerë. “Thjesht kufizimi i lëvizjeve të qytetarëve është si të shkelësh frenat dhe në momentin që ti heq këmbën nga frenat do të përballesh sërish me virusin”, u shpreh ai për Time.

Comments are closed.