Urim HASIPI
Tetovë, 9 maj – Drejtori i shkollës së mesme “Mosha Pijade” në Tetovë, Aleksandar Baçevski, është bërë pishman dhe ka vendosur që të tërheq vendimin për dënimin e 15 profesorëve shqiptarë. Përmes një vendimi të ri, këtyre ditëve, drejtori Baçevski, ka vendosur që t`ua kthejë mjetet profesorëve, të cilëve iu ishin hequr nga rroga e muajit shkurt, shkruan gazeta KOHA. Këtë vendim drejtori e ka marrë duke u bazuar në vendimin e inspektoratit shtetëror të arsimit, pasi që profesorët janë ankuar në këtë inspektorat për vendimin e padrejtë të drejtorit. “Të kthehen mjetet që profesorëve iu hoqën nga rroga e muajit shkurt. 16 profesorëve, gjegjësisht kujdestarëve të klasave, iu hoqën mjetet nga rroga për shkak se nuk paguan sigurimin fizik të shkollës. Për këtë arsye profesorët janë ankuar në inspektoratin shtetëror të arsimit, i cili ka sjellë vendim që mjetet që u hoqën t’iu kthehen dhe ne do të respektojmë këtë vendim”, qëndron në arsyetimin e drejtorit të shkollës së mesme “Mosha Piajde” në Tetovë. Në këtë vendim, 15 profesorëve që ishin dënuar do t’iu kthehen mjetet, ndërsa shuma e madhe që figuron është 5 mijë denarë, kurse tjerët kanë marrë dënim prej një mijë e deri në katër mijë denarë. Dënimi nga drejtori erdhi pasi që dëmet që i shkaktojnë nxënësit në objektin shkollorë, duhet t`i paguajnë ata vet, ndërsa këta kujdestarë nuk kanë arritur që të bindin nxënësit dhe prindërit të paguajnë dëmet, kësisoj drejtori vendosi që këto t’i paguajnë profesorët. Pas këtij vendimi që erdhi në muajin dhjetor, profesorët reaguan duke mos u pajtuar dhe vendimin e ankimuan në inspektoratin e arsimit, i cili vendosi pozitivisht për ata dhe obligoi shkollën që t’iu kthehen mjetet. Gjatë kohës kur ndodhi ky skandal, në këtë shkollë është bërë e ditur se është rënë dakord që kujdestarët e klasës të paguajnë dëmet që i bëjnë nxënësit, por pasi që këta të fundit nuk kishin bërë një gjë të tillë, drejtori obligoi kujdestarët e klasës. Gati se katër muaj pas këtij vendimi, profesorët do të mund të marrin ato mjete që u mungonin në xhirollogarinë e tyre në rrogat për muajin shkurt. Një vendim i këtillë nuk kishte qenë i pari në këtë shkollë, pasi që edhe më herët profesorët janë gjobitur. (koha.mk)