Prishtinë, 6 nëntor – Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës (AKI) Shpend Maxhuni, deri te kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, ka deponuar dorëheqjen nga ushtruesi i detyrës, funksion të cilin e ka kryer nga muaji prill 2018, njofton gazeta KOHA.
Lajmin e ka publikuar Haradinaj, përmes faqes së tij në Fejsbuk duke informuar se e ka pranuar dorëheqjen dhe njëherësh e ka dekoruar Maxhunin me Medaljen e Skënderbeut për siç tha, “kontributin e tij në kryerjen e obligimeve shtetërore dhe institucionale.
“E kam pranuar dorëheqjen e drejtorit të AKI-së Shpend Maxhuni nga funksioni në krye të inteligjencës kosovare. E kam falënderuar z. Maxhuni për bashkëpunimin e deritashëm profesional në mbrojtje të sigurisë së shtetit dhe popullit. Për kontributin e tij në kryerjen e detyrimeve institucionale dhe shtetërore e kam dekoruar z. Maxhuni me Medaljen e Skënderbeut për profesionalizmin dhe përkushtimin në shërbim të shtetit”, ka shkruar kryeministri në dorëheqje.
Sipas Haradinajt, gjatë këtij mandati, “Qeveria e Kosovës është angazhuar pandalë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe institucionet e sigurisë. Në këtë angazhim, roli i z. Maxhunit ka qenë i rëndësisë së veçantë dhe sot, AKI është një ndër institucionet më profesionale dhe më kredibile në vend dhe më gjerë”.
Tani për tani nuk ka informacione për arsyet e dorëheqjes, por lë të kuptohet se Maxhuni është tërhequr shkaku i ndërrimit të pushtetit që pritet të veprojë së shpejti, pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtur më 6 tetor fituan partitë që ishin në opozitë.(koha.mk)