Laura PAPRANIKU
Shkup, 8 maj – Përcaktimi i nxënësve që në vit të parë për ndonjërin prej gjashtë profileve të arsimit të mesëm gjimnaz, për momentin nuk shihet si rrezik për mungesë eventuale të profesorëve në lëndët e matematikës dhe shkencave natyrore, shkruan gazeta KOHA. Madje, një pjesë e mirë e drejtorëve thonë se shtimi i orëve qoftë në lëndën e matematikën (kombinimi A) apo për lëndët e fizikës, biologjisë dhe kimisë (kombinimi B) i drejtimit matematiko-natyror, do të sigurojë vendet e punës për profesorët që aktualisht japin mësim me fond të plotë orësh në këtë lëndë. Sepse, shumë gjimnaze janë të mbipopulluar jo vetëm me paralele, por edhe me profesorë. Parë në këtë këndvështrim, “për neve është e mirëseardhur reforma për përcaktimin e nxënësve që në vit të parë për drejtimin e gjimnazit”, pohon për KOHA, Xheladin Muça, drejtor i gjimnazit “Ibrahim Temo’ në Strugë. Viteve të para, plotëson më tej ai, nuk do të ketë asnjë problem me kuadrin mësimor, pasi jemi mirë të kompletuar me profesorë për të gjitha këta lëndë. Fakti që në drejtimin matematiko-natyror, kombinimi A dhe kombinimi B, do të shtohen orët e mësimit për matematikën, sipas drejtorit Muça, nuk do të thotë se shkollat nuk do të mund ta superojnë reformimin gjimnazeve. Madje, në gjimnazin e “Ibrahim Temo” të Strugës presin që më herët në kohë të ballafaqohen me kërkesa për kuadër shtesë në lëndët e fizikës, kimisë dhe biologjisë, se sa për matematikën. Sepse në fondin e orëve të ardhshme të kësaj lënde, do të jenë edhe ato orët që me programet e deritanishme veçoheshin nga matematika si lënda e algjebrës apo gjeometrisë.
Edhe drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, Rrahman Hyseini, konsideron se “aty këtu orët e matematikës ngelin të njëjta”. Do të ketë shtim të orëve, por jo në atë shkallë sa të mos mund ta përballojmë, nënvizon ai, duke shtuar se në rast nevoje është sigurisht në detyrën e drejtuesve të shkollave që të bëjnë kërkesa për angazhimin e profesorëve të rinj. “Tani për tani, nuk besoj se do të kemi nevojë për profesorë të ri të matematikës, sepse në vitin e parë do të kemi vetëm dy orë më tepër matematikë, nga çfarë kemi pasur deri tani. Prandaj them se këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm, do të mund të mbulojmë të gjitha orët me numrin e profesorëve të punësuar në gjimnazin tonë’, shprehet për KOHA drejtori Hyseini.
Në gjimnazin “Sami Frashëri” të Kumanovës, sikurse tregon drejtori, janë të punësuar me marrëdhënie te rregullt pune 5 profesorë për lëndën e matematikës, ndërsa vitin shkollor 2017/2018 presin të regjistrojnë 8 paralele të viteve të para. Po kaq paralele do të mbyllen në vitin shkollor 2016/2017, pra do të hapen po aq paralele sa edhe do të mbarojnë shkollimin e mesëm. Në bazë të planifikimeve të bëra, pritet që 3 paralele të formohen në drejtimin matematiko –natyror, kurse 5 në drejtimin shoqëror – humanitar. Sipas reformës së këtij viti, drejtimi matematiko-natyror, do të përfshihet nga më shumë orë mësimi matematikë. Respektivisht, kombinimi A me pesë orë matematikë që nga klasa e parë dhe kombinimi B me tre orë matematikë në dy vitet e para dhe 3, respektivisht 4 orë në vitin e tretë dhe të katërt. Në shkolla të mëdha, si gjimnazi “Zef Lush Marku” në Shkup, ku sivjet përfundojnë arsimin e mesëm 18 paralele, krahas drejtimeve matematike-natyrore dhe shoqërore-humanitare do të ketë edhe gjimnaz të drejtimit artistik. Të gjitha me nga dy lloj profilesh, të kombinimeve A dhe B, pra gjashtë lloje gjithsej. Drejtori Faruk Zeqiri, gjithashtu nuk pret të ketë probleme kadrovike për shkak të shtimit të orëve të matematikës, fizikës, kimisë dhe biologjisë dhe që është rezultat i ndarjes së profileve të arsimit gjimnaz që në vit të parë dhe jo në vit të tretë si deri tani. Nga ky problem, thotë se i shpëton edhe zvogëlimi i numrit ta paraleleve. Nga 18 paralele që do të mbyllin këtë vit shkollimin në gjimnazin “Zef Luish Marku” pritet të formohen 16 paralele, pra dy më pak. Për shkak të këtij zvogëlimi, sikurse shpjegon drejtori Zeqiri, nuk do të ndjehet, të paktën në fillim, reforma me shtimin e orëve të matematikës në arsimin gjimnaz.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara