Laura PAPRANIKU
Shkup, 21 dhjetor – Reformat e ndryshme arsimore që janë ndërmarrë, për thuajse tre dekada në Maqedoni, nuk ia kanë dalë të rregullojnë sa duhet sistemin arsimor, sidomos atë të nivelit të mesëm, shkruan gazeta KOHA. Shkollat e këtij niveli, si ato të arsimit të përgjithshëm, ashtu edhe të arsimit profesional ballafaqohen me probleme, mangësi dhe anomali të shumta. Politizimi në kuptimin e punësimit të mësimdhënësve dhe zgjedhjes së drejtorëve, vazhdon të mbetet edhe më tej problem i cili sfidon shkollat e mesme. Drejtorët e politizuar, apo “drejtorët jo neutral ndaj politikës”, sikurse quhen në dokumentin e Strategjisë Gjithëpërfshirëse të Arsimit për periudhën 2018-2025, evidentohen si problem edhe në pjesën e analizës për arsimin e mesëm të përgjithshëm edhe në pjesën e arsimit të mesëm profesional.
Në fakt, reforma për depolitizimin e shkollave në Maqedoni ka nis zyrtarisht që në vitin 2004 kur përmes projekteve të shumta u investua në drejtim të mbështetjes së shkollave për tejkalimin e këtij handikapi të trashëguar nga koha e sistemit monist. Madje, u intervenua deri në përmbajtjen e ligjeve për arsim fillor dhe për arsim të mesëm, ku kërkohej që një prej kritereve për zgjedhjen e drejtorëve të jetë edhe licencimi i tyre, apo dhënia e provimeve për drejtorë. Një prej komponentëve bazë të programeve për licencimin e drejtorëve, krahas moduleve për aftësimin e kandidatëve me shkathtësi menaxheriale, përvetësim të teknologjisë informative dhe interpretimeve juridike të çështjeve që kanë të bëjnë me organizimi e shkollave, është edhe moduli për depolitizimin e funksionit të drejtorit. Por, sikurse konfirmohet dhe në dokumentet zyrtare të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës, politizimi ka qenë problem i pakapërcyeshëm i gjithë këtyre viteve.
Në pjesën e sfidave të arsimit të mesëm të përgjithshëm, Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit liston 10 çështje, në mes të se cilave qëndron edhe kjo për politizimin e funksionit të drejtorit. “Mësimdhënësit nuk marrin aftësimin e duhur praktik gjatë kohës së trajnimit dhe praktikës përkatëse; nuk ka profesionalizëm të mjaftueshëm dhe neutralitet politik te drejtorët e shkollave; shërbimet profesionale janë pamjaftueshmërish të ekipuar sipas nevojave të shkollave, për shembull sipas numrit të nxënësve apo gjuhës në të cilën zhvillojnë mësimin”, qëndron më tej në atë dokument. Këtu, nënvizohet gjithashtu edhe fakti se sipas faktorit të rundi, pra ekipimi i pamjaftueshme i shërbimeve profesionale sipas gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, ndikon në nivelin e ulët të cilësisë apo të paktën në shërbime të limituara siç janë këshillimet për karrierë apo orientimi i dhuntive të nxënësve të talentuar. Edhe te pjesa e analizës për arsimin e mesëm profesional, ku listohen shtatë sfida nuk mungon evidentimi i politizimit të shkollave si problematikë në vete.
“Një pjesë e drejtorëve të shkollave në arsimin e mesëm profesional, nuk arrijnë të plotësojnë as kërkesat minimale për kryerjen e atij funksioni, gjë e cila ndikon negativisht në mbarëvajtjen e punëve institucionale, prej të cilave shumica e shkollave nuk janë të ekipuar krejtësisht me shërbime ndihmëse profesionale (për shembull administrator për IT, këshilltarë karriere, e të ngjashme). Sistemi për sigurimin e cilësisë në shkolla në arsimin e mesëm profesional është në fazë të hershme”. Madje, thuhet më tej, mungojnë informacione valide të vazhdueshme për sistemin nacional të arsimit në perspektivën ndërkombëtare”. Nisur nga këto konstatime, në të dyja llojet e shkollimit të mesëm, edhe të përgjithshëm edhe profesional, Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit (2018-2025), ka vënë prioritet ndryshimin e kësaj situate. Konkretisht, prioritet të MASH-it për shtatë vitet e ardhshme, do të jetë që shkollat të kenë “drejtorë, të cilët i plotësojnë kërkesat minimale për kompetenca profesionale”, sikurse qëndron në atë dokument. (koha.mk)