Moskë, 15 janar – Kreatorët e politikave në mbarë botën duhet me dëshirë ta pranojnë rritjen e shpenzimeve në mënyrë që të ndihmojnë në jetësimin e ekonomive të tyre të goditura, deklaroi sot shefja e Fondit monetar ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva në forumin vjetor ekonomik rus Gajdar.
Drejtoresha ekzekutive e FMN-së nuk dha kurfarë parashikimesh specifike ekonomike, por bëri qartë me dije se dëshiron që qeveritë t’i rrisin shpenzimet dhe përsëriti se qasja e sinkronizuar ndërkombëtarisht drejt zgjidhjes së problemit është më e mira për rritje.
“Në vitin 2020, FMN siguroi mbështetje financiare për 83 vende”, tha Georgieva.
Ajo shtoi se nga aspekti i politikës së tanishme, që nga marsi i vitit 2020 u bën thirrje vendeve të shpenzojnë më shumë, që është shumë e pazakontë për FMN-në.
“Shpenzoni sa më shumë të mundeni, e më pas shpenzoni edhe pak më tepër. Vazhdoj të angazhohem për adaptim të masave monetare dhe fiskale që i mbrojnë ekonomitë nga kolapsi në kohën kur me arsye i kufizojmë edhe prodhimtarinë edhe konsumin e popullatës”, tha shefja e FMN-së.
Ajo, gjithashtu, bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në përpjekjet për rritje digjitale dhe të gjelbër, siç ishte rasti gjatë aktiviteteve për zhvillim të vaksinave kundër koronavirusit.
“Të punësuarit në FMN përllogaritën se stimulimet e kombinuara fiskale të Grupit të 20 ekonomive më të zhvilluara në botë në fushën e infrastrukturës së gjelbër, nëse bëhen në mënyrë të koordinuar, do të sjellin për dy të tretat rritje më të madhe se sa nëse ndonjë vend e bën atë vetë”, tha Georgieva.