Drejtoresha e BB-së për Ballkanin komenton Mini-Schengenin e taksën 100%

Bruksel, 21 nentor – Linda Van Gelder, Drejtoreshë Regjionale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, duke komentuar iniciativën për Mini-Schengenin ballkanik ka thënë se BB-ja do të mbështesë çdo vend me masa për të rritur integrimin ekonomik rajonal në të 6-të vendet.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se fokusi i tyre është në marrëveshjet e arritura nën CEFTA, Traktatin e Transportit dhe marrëveshjet tjera që synojnë forcimin e integrimit ekonomik rajonal.

“Fokusi im është në zotimet e të 6-të vendeve, në kontestin e planit të veprimit shumëvjeçar të Procesit të Berlinit, si dhe marrëveshjet e arritura nën CEEFTA-n, Traktati i Transportit, dhe të gjitha këto marrëveshje synojnë forcimin e integrimit ekonomik rajonal. Ne mbështesim aktivitete dhe masa që forcojnë integrimin ekonomik rajonal”, ka thënë ajo.

Se a mund të funksionojë një Mini-Schengen ballkanik nëse Kosova del kundër, Van Gelder ka thënë se “ne konsiderojmë zotimet e Kosovës në kontekstin e planit të veprimit shumëvjeçar, zotimet që ka bërë Kosova në traktatin e transportit, në marrëveshjen për CEEFTA-n dhe jemi shumë të gatshëm dhe të lumtur që ta mbështesim Kosovën që t’i zbatojë ato zotime”.

Për taksën e Kosovës ndaj mallrave serbe, Van Gelder ka thënë se ky është vendim politik.

“E kuptojmë se vendosja e tarifave mbi mallrat është një vendim politik dhe kjo është zgjedhje politike. Si institucion, ne konsiderojmë si munden vendet ta forcojnë lehtësimin e tregtisë ndërmjet vendeve, konsiderojmë si ta mbështesim reduktimin e barrierave jo-tarifore, si dhe të barrierave tarifore. Por, ky është një vendim politik që Kosovës i duhet ta marrë”, ka thënë ajo.

E pyetur se a shkon taksa kundër synimit origjinal të bashkëpunimit, Van Gelder ka thënë shkurt se “mendoj që është vendim politik”.(koha.mk)