Ministria e Shëndetësisë kumtoi se javën e kaluar janë emëruar drejtorë të disa institucioneve publike shëndetësore dhe janë shkarkuar drejtorët ekonomikë në shumë IPSH. Për drejtorë janë emëruar Salija Latifi i Entit Gerontologjik “13 Nëntori”, Angelço Andonovski i Institutit për Sëmundje të Mushkërive te Fëmijët Kozle, ndërsa Filip Guçev i Klinikës Universitare për Reaumatologji.
Nga Ministria informojnë se në Spitalin e Psikiatrisë Bardovci mbetet drejtori i deritanishëm, Qamil Kovaçi. Janë shkarkuar drejtorët ekonomikë të spitalit klinik në Tetovë dhe Shtip, të klinikave universitare për radioterapi dhe onkologji, për kardiologji, për kardiokirurgji, për biokimi klinike, për neurokirurgji, për kirurgji digestive, për kirurgji plastike, për kirurgji torakale dhe vaskulare, për gastroenterohepatologji dhe të TOARILUC. “Në lidhje me emërimet e drejtorëve në institucionet publike shëndetësore qëndrojmë pas vendimeve të sjella dhe besojmë se së bashku me këto kuadro do ta realizojmë vizionin tonë për shëndetësi më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Përmendim se rregullisht do ta ndjekim punën e UD drejtorëve të rinj dhe do të reagojmë nëse mungojnë rezultatet e pritura”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.