Krahas mësimit teorik, në këtë shkollë po ashtu ndiqet edhe mësimi praktik. Tashmë këtë vit nxënësit e dizajnit do të kenë edhe një studio të tyre ku do të mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të fituara në teori
Urim HASIPI
Tetovë, 22 maj – Në shkollën e mesme të tekstilit në Tetovë vite me radhë ekzistojnë drejtime atraktive si drejtimi tekstil, lëkurë me profilet arsimore, teknik i konfeksionit, teknik i tekstilit dhe drejtime tjera, këtyre viteve me mjaft sukses funksionon edhe drejtimi i dizajnit të veshjes. Që nga themelimi i kësaj shkolle gjithnjë në fokus ka qenë tekstili, ndërsa kohëve të fundit rëndësi u është dhënë edhe drejtimeve tjera si Teknik i dizajnit të veshjes, drejtimi i arteve të aplikuara. Krahas mësimit teorik, në këtë shkollë po ashtu ndiqet edhe mësimi praktik.
Tashmë këtë vit nxënësit e dizajnit do të kenë edhe një studio të tyre, ku do të mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të fituara në teori, theksoi mes tjerash drejtoresha e kësaj shkolle. “Duke patur parasysh nevojat e mëdha të tregut për kuadër të kualifikuar, shkolla jonë vazhdimisht angazhohet në krijimin e kushteve sa më të mira të përshtatshme për një arsim më kualitativ të gjeneratave të reja. Me profilet arsimore Drejtimi tekstil-lëkurë me profilet arsimore, teknik i konfeksionit, teknik i tekstilit-lëkurës thurje, Drejtimi kimi-teknologji me profilet arsimore, teknik i kimisë-teknologjisë, teknik ushqimor, Drejtimi i arteve të aplikuara me profilin arsimor, teknik i dizajnit të veshjes, këtë vit fillojmë edhe më një drejtim të ri, për mbrojtjen e ambientit. Kur flasim për shkollat profesionale, rol mjaft të rëndësishëm ka puna praktike e nxënësve, pra nxënësit ndjekin punë praktike në punëtoritë e konfeksionit, me laboratorët e kimisë dhe me studion e përgatitur me mjete më moderne dhe speciale për punë praktike të drejtimeve të dizajnit, apo 60 për qind e punësimeve të reja të planifikuara janë kuadro me arsim të mesëm”, tha drejtoresha e shkollës së mesme të tekstilit, Sevdije Mustafi.
Për rëndësinë e kësaj shkolle dhe drejtimet profesionale foli edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ajo tha se sa më shumë kushte që të kenë nxënësit e shkollave profesionale, aq më shumë do të jenë konkurrues në tregun e punës në të ardhmen. “Faktikisht bëhet fjalë për një studio të dizajnit që sot është shumë moderne dhe mendoj se është shumë tërheqëse për gjeneratën e re. Prandaj, orientimi ynë apo politikat tona gjithmonë kanë qenë në mbajtjen e sistemit të regjistrimit në shkolla dhe kjo na ka bërë që ne të mbajmë stabil numrin e nxënësve nëpër shkolla profesionale gjithmonë, duke u nisur nga fakti se shkollimi profesional është një prej të ardhmëve më të mira të këtij vendi. Kjo është një mundësi e mirë që të motivojmë të rinjtë që ardhmërinë e tyre ta shohin në dijen praktike të asaj që është e bukur”, deklaroi Arifi.
Në realizimin e kësaj studioje kanë ndihmuar edhe nga ana ambasadës së Turqisë në Maqedoni, shoqata Kallkan dhe IHH. Po ashtu është paralajmëruar se do të sillen edhe 10 karroca për fëmijë dhe nxënës me nevoja të veçanta. (koha.mk)