Lënda e matematikës zakonisht nga nxënësit e shkollave të mesme shihet si më e ndërlikuar. Andaj edhe interesimi i maturantëve për të vazhduar studimet në Shkencat Natyrore është i ulët. Ndërkohë që si rezultat i mungesë së kuadrit, këtë lëndë nëpër shkollat fillore dhe të mesme e ligjërojnë kuadër joadekuat
Arbër KADRIU
Shkup, 24 shtator – Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se në vitin 2018 ka pasur rritje për 2.2% të diplomuarve duke shkuar numri në 57.7%. Por, numri i studentëve të interesuar në drejtimet deficitare, përkatësisht të shkencave natyrore – është shumë i ulët. Në Universitetin “Shën. Kirili dhe Metodi” në Fakultetin Matematiko-Natyror këtë vit janë regjistruar 154 studentë, ndërsa në Universitetin Shtetëror të Tetovës janë regjistruar 148 studentë. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti në vit interesimi për të studiuar lëndët matematiko-natyrore bie dukshëm, pasi krahasuar me vitin akademik 2014-2015, në këto dy universitete shtetërore kishte rreth 500 studentë.
Profesori i matematikës, Arlind Jakupi, thotë se për lëndën që ai e ligjëron, është krijuar një stigmatizim ku mbisundon efekti se lënda e matematikës është e paarritshme dhe shumë e rëndë. “Shpesh në shoqërinë tonë, por edhe në shkolla është krijuar mendimi se lënda e matematikës është e paarritshme. Kjo duhet të hiqet nga truri i njeriut, sepse nuk është edhe aq e rëndë matematika aq sa e etiketojnë dhe e ekzagjerojnë. Mjafton që gjatë mësimit, fokusi të jetë i thellë. Fokusi duhet vënë në metodat e thjeshtëzimit të detyrave dhe natyrisht që çdo nxënës posedon talentin dhe dhuntinë e tij. Fatkeqësisht, duhet përmendur që në shkollat tona fillore dhe të mesme kemi njerëz jo adekuat të punësuar, të cilët nuk janë kompetent për atë profesion. Matematika kërkon përkushtim, njashtu sikurse Fizika, Kimia e lëndët tjera”, shprehet në prononcimin e tij për gazetën KOHA, Jakupi. Nuk duhet të krijohet bindje dhe stigmatizim, shton ai, për shkencat natyrore, e në veçanti për lëndën e matematikës. “Thjesht duhet pasion, vullnet dhe dëshirë”.
Në anën tjetër, profesori Arban Iljazi nga Shkolla e Mesme Komunale “Mbreti Samoil”- nga Resnja, potencon se është i brengosur nga trendi i uljes së interesimit të të rinjve për të studiuar në Fakultetet e shkencave natyrore. “Që nga studimet e mia në Universitetin ‘Shën. Kirili dhe Metodi’, jam munduar që ti jap përparësi zhvillimit tim duke u adaptuar dhe akomoduar në këtë fakultet. Kushtet i kishim jo të mira, ndërsa numri ishte shumë i ulët i të regjistruarve – nga 30 studentë, prej tyre vetëm ka katër ishim shqiptarë, dhe kjo më jepte vazhdimisht motivin për të dhënë kontributin maksimal”, deklaroi për KOHA, Iljazi.
Ministri i mëparshëm i Arsimit, Arbër Ademi u zotua se numri i pedagogëve të rinj në drejtimet deficitare do të rritet, duke i inkurajuar shkollarët e mesëm që të regjistrohen në Fakultetet e Shkencave Natyrore. Tanimë, ky zotim i ngelet si trashëgim për realizim ministres së re të Arsimit, Mila Carovska. Megjithatë, në kontinuitet ka munguar një Strategji për stimulimin e nxënësve të shkollave të mesme të vazhdojnë studimet në shkencat matematiko-natyrore. Të rrallë janë maturantët që vendosin të regjistrojnë studimin e matematikës, ndërsa udhëheqësitë e shkollave të mesme thonë se, edhe Universitetet gjatë promovimit të programeve studimore nëpër shkolla të mesme, nuk i kushtojnë rëndësi të madhe Fakultetit të Matematikës.
“Kur zhvillohen promovimet e programeve studimore nga universitetet në shkolla të mesme, fakultetet që promovohen më së shumti janë shkencat politike, juridike dhe të tjera. Shumë pak flitet për programet e Matematikës dhe lëndëve tjera të shkencave natyrore”, thonë në një shkollë të mesme në Shkup. E njëjta situatë është edhe për lëndët Fizikë dhe Kimi. Në të gjitha universitetet shtetërore, numri i studentëve që studiojnë këto lëndë është jashtëzakonisht i vogël. Njëjtë si për Matematikën, edhe për Fizikën dhe Kiminë nuk ka një Strategji stimulimi, edhe pse me këto lëndë, asnjë nuk mbetet pa punë. (koha.mk)