Mund të mbytemi në zhgënjim, apo dhe në mos-shpresë, ose do të ringrihemi e do kuptojmë se lufta për drejtësi është e vazhdueshme. Mund të bëjmë edhe diçka tjetër… të ikim…, por beteja të tjera për drejtësinë do të na presin kudo. Kudo, për diçka, do të ndeshemi me padrejtësinë
Nga Nazim RASHIDI
Nuk pashë njeri që nuk ishte i habitur, në disa raste edhe të tromaksur për rastin “Shantazh”. Ngjarja me skenar filmik, ku një pronar (jo)formal i medies arrestohet bashkë me një biznesmen tjetër, emrat më i dini që të gjithë, me akuza për shantazhe, mashtrime… e ku në këtë histori është e përfshirë, direkt, indirekt, anësisht, kryeprokurore e një prokurorie që mban emrin “speciale”, e që do duhej të ishte në krye të luftës pikërisht të veprimeve të tilla, për të cilat përmendet se mund të jetë e përfshirë, padyshim që është një ngjarje që pllakos.
S’ka dyshim që të gjithë janë të pafajshëm deri sa nuk vërtetohet e kundërta, por akuzat e ngritura, personazhet e përfshirë, zhvillimi i ngjarjes, s’ka se si mos të të bëjë të bësh pyetjen, se si ky vendi ynë i vogël mund të krijojë kaq drama. Vendi ynë i vogël padyshim që prodhon ngjarje të mëdha. Një mik më tha shumë interesante kjo jeta jonë, ku as e si të bëhet e mërzitshme. Por u lodhëm më nga kjo jeta “interesante”, ku vërtet dalin momente të paparashikuara, por nga ana tjetër gjithçka rezulton në zhgënjim. As në filma nuk ndodhin kaq ndryshime dramatike ku personazhet pozitiv, befas shndërrohen në negativ, e në rastin e filmave kur ato mbarojnë ka lehtësi, kurse në rastin tonë as filmi s’po mbaron e as lehtësi nuk ka. Aq më pak krijohet ndjesia, ajo e munguara e konstante, për drejtësinë.
Ndonëse rasti “Shantazh”, është nën hetim, grushti që dha ka shkaktuar aq plasaritje sa besimi për drejtësinë, për sistemin e së drejtës, vështirë mund të ngrihet në këmbë. Kujt ia merrte mendja se Katica do përmendej në një kontekst të tillë. Thashë, do marr parasysh pafajësinë, s’ka as akuza konkrete deri sa shkruhet ky tekst, por sa i përket perceptimit rrënimi i drejtësisë është lëkundur fort. Jo më larg se një ditë më parë, diskutuam zjarrtë, me miq të mi të dashur, rreth drejtësisë dhe perceptimet. Sidomos kur opinioni krijon një përshtypje të theksuar për atë ose ata që mund të kenë faj, e se si rregullat e argumenteve në gjyq, mund të sjellin dyshime për vërtetësinë e ngjarjeve.
Mbase duke qenë gazetar, ku ngritja e pyetjeve është normë mendimi, apo dhe dyshimi për të vërtetën absolute, apo edhe nocioni se për herë ka më shumë të vërteta, të bën dhe cinik mbase. I besoj asaj thënies së Volterit se më mirë mos dënohet një fajtor se sa të dënohet një i pafajshëm. Është e rëndë për gjithçka pastaj kur dënohet pafajësia. Prandaj edhe në këtë rast pa i ditur gjithë detajet, mbase hetimi do nxjerrë edhe situata të tjera, duhet pasur kujdes për gjykime të vulosura. Por, s’ka njeri ama që nuk mendon se lëkundja tektonike me drejtësinë është shkatërruese. Perceptimi është se ato që duhej ta sillnin drejtësinë, paskan bërë pazaret më të pista me të. Jo. Asnjë nuk e priste këtë. Kjo është e vërteta e madhe. Jo që nuk pritej emrat e “speciales” të përfshihen në afera, por as edhe të përmenden si dyshues.
Por si duhet parë i gjithë episodi i fundit me serialin sagë: drejtësi? Nga vorbulla e reagimeve theksohet ideja se në fakt vetë sistemi është duke funksionuar pasi edhe ata që nuk mendohej se mund të dyshohen, po dyshohen. Mbase… Por ajo që të gjithë do të donin është që ky sistem, i çliruar ose jo, të mos vihej në përdorim ndaj njerëzve që duhet ta mbrojnë atë. Tjetra që na mëson i gjithë rasti është se lufta për drejtësi duhet parë si vazhdimësi. Të tjera reagime vijuan duke thënë se si gjithçka që kishte ndodhur me “specialen” me zhvillimet para, me protestat, me kërkesat për drejtësi, para ardhjes së qeverisë së Zaev, se gjithçka kishte qenë e kotë. Mbase…
Edhe për këtë konstatim mund të themi mbase… apo mund të themi edhe në gjitha proceset ka shumë politikë, e ndërhyrje, kalkulime e konspiracione… Por, a duhet ndaluar? A duhej ndaluar atëherë, për shkak të dyshimit se politika do të zgjaste pipëzat e saj gjithë andej? A duhet ndaluar tani, edhe pse në kulm të zhgënjimit, për të arritur drejtësinë? Në gjithë historinë e njerëzimit, kjo betejë do të jetë e vazhdueshme.
Ka të drejtë një mik tjetër i imi kur thotë se duhet ndalur së konstatuari gjërat e konstatuara. Madje duhet ndalur edhe së habituri e shokuari, se situata të tilla po ndodhin. Kanë ndodhur e do vijojnë të ndodhin sepse njeriu dhe pangopësia e tij bën me sa duket gjithçka. Por nuk duhet ndaluar së përpjekuri ama. Duhet përballur me të vërtetën, e ajo është sizifiane. Përpjekja, mundi apo dhe arritjet do vinë, e pastaj do bien, e shkatërrohen, e sërish si Sizifi, do duhet rrotulluar ai gur i madh me peshë aq të madhe nga rëndësia për shoqërinë, e kështu, sërish, e sërish, e sërish… Zhgënjimet për ndërtimin e shoqërisë tonë të drejtë, të lirë, e me mirëqenie për të gjithë vinë si dallga. Pasi ka ikur e para që të ka pllakosur t’i kujton se shpëtove, pa e pritur se po vjen tjetra dhe tjetra pas saj. Por nëse e dimë më këtë, atëherë, i duhet bërë ballë pikërisht dallgëve.
Ajo që duhet ditur është se dallgët nuk pushojnë, ujërat mund të qetësohen, por dallgët vijnë, e vijnë sërish. Edhe luftërat për drejtësi, duhen ndarë, me betejë pas beteje, si dallgët… por mos krijohet iluzioni se një betejë e humbur o e fituar, në fakt ka përfunduar luftën. Ky mbase ishte momenti i shpresës, se një “speciale” do të fitonte luftën. Mbase ky iluzion sjell dhe zhgënjimin.
Të merremi vesh, drejtësia ka shumë sfida, e kush më shumë se shqiptarët (dhe këtu kam parasysh rastet që janë vërtetuar më pas se si gjykatat kanë gabuar), e dinë se sa e padrejtë është drejtësia në këtë vend. Megjithatë, qeverisja problematike e Gruevskit, gjithë historitë me drejtësinë selektive, apo dhe ndryshimi i vetë pushtetit, duke marrë parasysh edhe vetë Prokurorinë Speciale, sollën shpresën se një fazë problematike me drejtësinë po përmbyllet. Ideja se mësimet mund të merren nga leksionet e jetës solli shpresën se s’mund të ketë raste dyshimi e flagrante pikërisht te ata që u bënë simboli i kësaj shprese. Por, ja që jeta na jep sërish leksione tjera edhe më të ashpra. Dhe kjo gjë më sjell përshtypjet shkatërruese se s’ka më të ardhme. Ose të paktën jo ashtu siç ishte premtuar.
E tani, mund të mbytemi në zhgënjim, apo dhe në mos-shpresë, ose do të ringrihemi, e do kuptojmë se lufta për drejtësi është e vazhdueshme. Mund të bëjmë edhe diçka tjetër… të ikim… por beteja të tjera për drejtësinë do të na presin kudo. Kudo për diçka do të ndeshemi me padrejtësinë. Nga ana tjetër betejat do vijojnë dhe mbase ia vlejnë edhe për tu dhënë kurajë të tjerëve. Sepse siç ka thënë Robert F. Kennedy dhe parafrazoj: “Pak njerëz mund të kenë mundësinë për të ndikuar historinë, por secili nga ne mund të ndikojë të bëhen ndryshime të vogla. Çdo herë kur dikush qëndron për ideale, ose vepron për të përmirësuar jetët e të tjerëve, ose ngrihet kundër padrejtësisë, përhap valë shprese”. Prandaj, bëjuni gati, betejat, lufta për drejtësi, është e vazhdueshme.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)