Delvina KËRLUKU
Bekim Kadriu ka lindur në Kërçovë. Sipas vokacionit është jurist i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi”, në vitin 2000 në Shkup. Ai është mbajtës i dy gradave master dhe atë njëra në “E drejta ndërkombëtare dhe politika ndërkombëtare” dhe tjetra “E drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”. Grada e parë e masterit ishte në kuadër të Fakultetit Juridik të Universitetit ‘Shën Qirili dhe Metodi’, në vitin 2006, në Shkup. Ndërsa, e dyta në kuadër të Fakultetit Juridik në Universitetin e Shën Thomasit, në Majami – SHBA, në vitin 2009. Të dy gradat i ka përfunduar me nderimet më të larta. Në nëntor 2010 arriti gradën e Doktoraturës në Fakultetin Juridik të Universitetit ‘Shën Qirili dhe Metodi’, në vitin 2010, në Shkup, në të drejtën mbi diskriminimin. Pas diplomimit në Fakultetin Juridik, Kadriu vazhdoi punën në profesionin akademik. Së pari ai ishte angazhuar si asistent në Fakultetin Juridik, ku edhe diplomoi, në lëndën e Të drejtës ndërkombëtare publike. Në tetor të vitit 2002 filloi punën në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Pas marrjes së doktoraturës së tij, që nga viti 2011,Kadriu është angazhuar si asistent-profesor (docent) në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës. Aktualisht ai ligjëron: Hyrje në ligjin e të drejtave të njeriut dhe Të drejtën ndërkombëtare private. Përveç ligjërimit, Kadriu ka botuar libra dhe artikuj juridikë, në revistat e vendit dhe jashtë. Në vitin 2015 ai botoi dhe promovoi tre libra: E drejta ndërkombëtare private; Mbrojtja nga diskriminimi në të drejtën ndërkombëtare dhe Diskriminimin sipas moshës në të drejtën ndërkombëtare. Aktualisht ai përgatit një artikull mbi përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni sipas Propozim-ligjit të ri, që do të paraqitet në një konferencë në Durrës, Shqipëri, në fund të tetorit. Kadriu ka punuar në shumë projekte kërkimore si studiues dhe autor i analizave të ndryshme ligjore. Aktualisht ai punon në një Komentim të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi. Kadriu ka mbajtur disa trajnime mbi mosdiskriminimin dhe ka marrë pjesë në konferenca dhe seminare të ndryshme që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme të ligjit për të drejtat e njeriut. Flet rrjedhshëm shqip, maqedonisht dhe anglisht. Kadriu është anëtar i Komisionit për mbrojtjen nga diskriminimi, anëtarët e të cilit zgjidhen nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë me mandate 5 vjeçar.
KOHA: Z. Kadriu, jeni paraqitur në opinion me fjalën mbi drejtësinë dhe rrugën e saj. Gjithashtu ligjëroni para studentëve. E gjithë kjo, është këmbëngulje drejt drejtësisë, për të qenë Maqedonia një shtet i së drejtës?
KADRIU: Drejtësia është gjë e natyrshme, nuk është këmbëngulje. Drejtësia është ideal që të gjithë ne, për çdo ditë, duhet të tentojmë ta arrijmë. Të gjithë duhet të reflektojmë në mënyrë që, pavarësisht në çfarë pozite ndodhemi, drejtësinë ta kemi udhërrëfyes të veprimeve tona. Nuk ka gjë më të natyrshme dhe më të arsyeshme se drejtësia. Ajo nënkupton që secili ta merr atë që i takon në një shoqëri, qoftë si student, si punëtor, qytetar, si individ ose pjesëtar i një grupi të caktuar. Për shembull, drejtësia imponon që bursat t’i marrin studentët që kanë nevojë ose që i meritojnë; drejtësia kërkon që studenti i shkëlqyeshëm të merr 10 në provim; drejtësia kërkon që vendi i punës t’i takojë kandidatit më të mirë. Pra, drejtësia është vlerë që të gjithë e kemi të përbashkët, për çka sjellja e drejtë është sjellje e pranueshme nga të gjithë, sepse të gjithë e presin një gjë të tillë. Ndërsa sjellja e padrejtë menjëherë bie në sy, sepse të gjithë e kuptojnë se diçka devijon nga ajo çfarë është pritur. Edhe një profesor është i pranueshëm te studentët dhe te shoqëria nëse është i drejtë, nëse i kryen detyrimet e tij që i ka, nëse sillet drejt në punë, nëse i trajton studentët drejt. Shteti gjithashtu duhet të tentojë të jetë i drejtë për të gjithë qytetarët e tij, ndërsa parakusht për të qenë i drejtë është sundimi i ligjit. Natyrisht, ka raste kur edhe ligjet nuk janë të drejta, që nënkupton miratimin e ligjeve më të mira, megjithatë themeli i çdo shteti të drejtë është sundimi i ligjit.
KOHA: Nëse nisim këtë bashkëbisedim se sa e drejtë ka qenë jeta me ju dhe sa padrejtësi u është bërë, qoftë në trungun familjarë, vendlindje, si qëndron?
KADRIU: Besoj që shumë herë shumica prej nesh (ndoshta edhe të gjithë ne) e mendojmë se sa e drejtë ka qenë apo s’ka qenë jeta me ne. Por ajo që do të theksoj është se kur arrini një stad të caktuar të jetës, kur krijoni personalitetin dhe karakterin tuaj, nuk e mendoni lidhshmërinë e jetës me drejtësitë apo padrejtësitë, por e kuptoni së është gjë që ndodh dhe përballeni me të si diçka shumë e natyrshme. Mendoj që nuk duhet të presim që jeta çdoherë të jetë e drejtë me ne. Padrejtësitë paraqiten në çdo segment të jetës. Nuk do të kisha thënë në familje, sepse secili prind dëshiron më të mirën për secilin nga fëmijët e tij/saj. Por, në segmente tjera të shoqërisë, gjatë procesit arsimor, gjatë punësimit, në marrëdhënie të punës, në rrugë, spital, gjykatë, në përgjithësi në marrëdhëniet e ndryshme shoqërore, padrejtësitë ndodhin. Është shumë e rëndësishme që padrejtësitë të luftohen, me të gjitha mjetet e mundshme. Madje, njeriu me virtyte lufton jo vetëm për padrejtësitë që i ndodhin atij/asaj, por edhe për padrejtësitë që u ndodhin të tjerëve. Siç theksova më lart, drejtësia është ideal dhe vlerë universale, që të gjithë e duan dhe e presin. Por, jo të gjithë sillen në mënyrë të drejtë në çdo situatë, sepse ndonjëherë te individët mungon tendenca për vlera universale dhe mbizotërojnë apetitet personale. Unë personalisht nuk kam pritur që jeta të jetë e drejtë me mua, por jam munduar që të marr atë çfarë e kam merituar në momente të caktuara.
KOHA: Rruga për të ardhur deri te drejtësia është një rrugë e gjatë, ashtu edhe për të marrë një status si të profesorit. Si e përshkruani këtë rrugë të shkollimit?
KADRIU: Shkollimi është proces që i jep formë personalitetit të një individi. Nuk është vetëm parakusht për të ushtruar një profesion të caktuar, por është edhe parakusht për formimin e një individi. Thjesht, shkollimi e definon një person se kush është duke rrumbullakuar dhe definuar personalitetin e tij. Edhe mua personalisht, shkollimi nuk më ka aftësuar vetëm të jem profesor, por ka ndikuar në mënyrën time të të menduarit. Vlerat që kam fituar gjatë shkollimit dhe studimeve, kanë definuar personalitetin tim dhe kanë ndikuar edhe në mendimet dhe botëkuptimet e mia, që së fundi reflektojnë në sjelljen time të përditshme. Shkollimi si proces është edhe i pafund. Me fitimin e titullit doktor të shkencave të caktuara, personi nuk bëhen i përkryer dhe nuk din gjithçka. Pra, shkollimi ndoshta si proces formal përfundon në një moment, por si proces i fitimit të dijeve të reja vazhdon në pafundësi.
KOHA: Maqedonia është një shtet ku mbizotëron diskriminimi gjinor, etnik.., ku padrejtësia është më e fuqishme se drejtësia, ku mbisundon i fuqishmi dhe jo drejtësia, ku shkelen të drejtat e njeriut, ku gjykohen rastet dhe ndërpriten nga rrethana të panjohura. Ajo që shihet në Maqedoni, mund të jetë gjithçka veç drejtësi jo?
KADRIU: Shoqëri ideale nuk ka. Shoqëri ku do të respektohen absolutisht të drejtat e njeriut dhe drejtësia, nuk ekziston. Por, format e paraqitjes së padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, janë të ndryshme. Në ndonjë shoqëri do të dominojnë disa forma të caktuara të padrejtësive dhe shkeljeve, ndërsa në shoqëri tjera do të dominojnë forma tjera. Kjo gjë absolutisht nuk nënkupton se, për shkak të formave të caktuara të padrejtësive, një shoqëri është më e padrejtë se tjetra, por thjeshtë se disa shoqëri gjejnë mënyra më të arsyeshme për ti luftuar padrejtësitë dhe shkeljet ligjore. Në anën tjetër, edhe nuk guxon individët të kënaqen me një status të caktuar në shoqëri. Nuk guxon të pohojmë, sidomos ne që merremi me këtë lëmë, se respektimi i të drejtave të njeriut është i kënaqshëm. Absolutisht jo. Përkundrazi, gjithmonë ka hapësirë që të drejtat e njeriut dhe drejtësia të avancohen në një shoqëri. Madje, drejtësia si koncept relativ dhe abstrakt, kërkon që me kalimin e kohës të merr forma të reja. Paraqiten grupe të reja që kërkojnë të drejta, paraqiten të drejta të reja që duhet të realizohen, që nganjëherë mund të nënkuptojë edhe përgjegjësi të dyfishtë për definimin e formave të reja ligjore. Republika e Maqedonisë nuk është përjashtim. Republika e Maqedonisë nuk është shoqëri e drejtë dhe ideale ku respektohen të gjithë të drejtat e njeriut. Por, është shumë e rëndësishme në njërën anë, si reagojnë qytetarët ndaj të drejtave të tyre në përgjithësi, ndaj shkeljeve dhe padrejtësive. Është e domosdoshme që qytetarët të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të kërkojnë mbrojtje nga institucionet përkatëse. Në anën tjetër, është edhe më e rëndësishme çfarë qasjeje ka shteti ndaj kërkesave të qytetarëve të realizojnë të drejtat e tyre. Një shtet demokratik do të merrte me seriozitet të gjitha kërkesat për të drejtat e qytetarëve, do insistonte të krijojë një shoqëri të drejtë, ku secili do ta merrte atë çfarë i takon. Sidomos për format më të skajshme të padrejtësive, si gjykimet e montuara, diskriminimi etnik, politik ose gjinor, shërbimet e drejta shëndetësore, domosdoshmërish të ketë një qasje më serioze nga ana e shtetit, me qëllim që secilin person ta bëjë të ndjehet sikur jeton në shtetin e tij dhe jo në shtet të huaj.
KOHA: Sa larg është Maqedonia në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, që kanë të bëjnë me demokracinë dhe që kërkohen nga çdo shtet kandidat, si kritere të domosdoshme për integrimet evropiane?
KADRIU: Kriteret e Kopenhagës janë kriteret më të rëndësishme politike për integrimet evropiane. Por, plotësimi i këtyre kritereve më tepër duhet të shihet si diçka që do të shkojë në favor të qytetarëve të Maqedonisë. Me fjalë tjera, parimet e sundimit të ligjit, pavarësia e gjyqësorit, respektimi i të drejtave të njeriut, liria e shprehjes dhe e mediumeve, stabiliteti i institucioneve, janë vlera që duhet të tentojmë ti arrijmë me qëllim që qytetarët të mund të kenë jetë më të mirë, duke pasur siguri më të madhe juridike, duke i realizuar të drejtat e tyre pa pengesa, duke rritur standardin e tyre ekonomik. Këto vlera vitet e fundit kanë qenë të cenuara në Maqedoni dhe rikthimi i këtyre vlerave është diçka e domosdoshme, edhe për rrugën e integrimeve, por edhe për vetë qytetarët e Maqedonisë. Kthimi në këto vlera nuk arrihet brenda natës, por kërkon seriozitet, punë, devotshmëri permanente, dhe para së gjithash kërkon vullnet politik. Klasa politike duhet të kuptojë që kthimi i këtyre vlerave shkon në interes të përgjithshëm të qytetarëve dhe këto vlera nuk kanë ngjyrime politike. Pavarësisht klasave politike në pushtet dhe opozitë, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i të drejtave të njeriut nuk guxon të vendosen nën pikëpyetje. Derisa klasat politike i cenojnë këto vlera në momentin kur janë në pushtet, ajo tregon mospasjen e kulturës politike për respektimin e vlerave universale, që është problem në vete për Republikën e Maqedonisë.
KOHA: Reformat në fushën e drejtësisë janë pjesë e agjendës prioritare për evropianët. Si i shihni reformat në drejtësi në Maqedoni?
KADRIU: Si vazhdim i përgjigjes paraprake, pra, edhe për reformat në drejtësi nevojitet vullneti politik që të sigurohet gjyqësor i pavarur, i paanshëm, objektiv dhe i drejtë. Duket sikur reformat në drejtësi zgjasin me vite të tëra, mos them me dekada, por në realitet mospasja e vullnetit politik, përkatësisht nevoja e politikanëve të sigurojnë procese me epilog të caktuar, ka bërë që gjyqësori të mos jete i pavarur, ose thënë më troç, ka bërë që të ketë ndikime të hapura politike në pushtetin gjyqësor. Ndikimet politike kanë bërë që pushteti gjyqësor të bëhet kategori e lëndueshme (vulnerabile) dhe qytetarët të humbin besimin te institucionet e gjyqësorit. Përsëris, derisa klasat politike nuk kuptojnë që pushteti gjyqësor dhe pavarësia e tij është vlerë universale dhe nuk duhet të keqpërdoret, flasim për mospasjen e kulturës politike. Gjithashtu me bindje të plotë them që lufta për pushtet gjyqësor të drejtë dhe të pavarur nuk duhet të jetë vetëm farsë e partive kur janë në opozitë. Për gjyqësor të drejtë dhe të pavarur duhet të luftojë vetë pushteti me masat ligjdhënëse dhe administrative, dhe sidomos duke u përmbajtur nga ndikimet politike që mund të ushtrohen, që përsëri është (mos)pasje e sensit dhe kulturës politike.
KOHA: Sistemi i vendeve të zhvilluara kalon nëpër një proces të përzgjedhjes rigoroze, nëpërmjet një konkursi dhe një trajnimi unik të gjyqtarëve, përmes një akademie shkollore, që është një garanci për cilësinë. Te ne si ndodh, apo si duhet të jetë?
KADRIU: Padyshim që duhet të ekzistojë një sistem i përzgjedhjes së gjyqtarëve, që ata më të mirët ta kenë “privilegjin” e shqiptimit të drejtësisë. Një sistem i tillë ekziston edhe në Republikën e Maqedonisë, duke u nisur nga kriteret ligjore, që duhet të garantojnë cilësinë e gjyqtarëve të zgjedhur, deri te themelimi i Akademisë për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, seleksionimin e kandidatëve për pranim në Akademi, trajnimi që organizohet në Akademi, deri te zgjedhja e gjyqtarëve nga radhët e atyre që kanë plotësuar kushtet ligjore dhe kanë kaluar trajnimin në Akademi. Sidoqoftë, ky sistem jo gjithmonë është zbatuar në Republikën e Maqedonisë. Shpeshherë pushteti nuk ka respektuar këtë sistem dhe ka përzgjedhur gjyqtarë jashtë këtij sistemi, pra persona që nuk kanë kaluar trajnim në Akademi. Kjo gjë është bërë për shkaqe politike, duke anuluar zbatimin e rregullave që kanë insistuar në zgjedhjen e gjyqtarëve nga radhët e atyre që kanë kaluar trajnimin në Akademi. Nga ana tjetër, edhe sistemi ekzistues që parasheh trajnimin e kandidatëve për gjyqtar në Akademi, nuk do të thotë që është i përkryer. Pra, duhet gjithmonë sistemi të sfidohet dhe të shihet ku ka defekte që të mund të evitohen, përkatësisht të shmangen. Si shembull, sistemi i krijuar me themelimin dhe funksionimin e Akademisë u konstatua se cenon parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke imponuar rregulla rigoroze, madje edhe diskriminuese. Prandaj, duhej që të bëhet ndonjë ndryshim në formën e “ulëses së zbrazët”, që mos plotësohen vendet me kandidatë nga bashkësitë që janë të mbi-përfaqësuara në pushtetin gjyqësor. Nga ana tjetër, edhe monopoli që e ka Akademia te përzgjedhja e gjyqtarëve ndoshta duhet të sfidohet, për shkak se ka gjithmonë persona që nuk kanë kaluar akademinë, por me përvojën ose me njohuritë e tyre, mund me sukses ta ushtrojnë funksionin e gjyqtarit. Thënë shkurt, gjithmonë duhet të sfidohet sistemi i përzgjedhjes me qëllim të gjendet modeli që është më i përshtatshëm për vendin e caktuar.
KOHA: Drejtësia duhet të reformohet nga njerëz me “duar të pastra”?
KADRIU: Gjëja e parë që më shkon në mendje kur lexoj këtë frazë është fraza tjetër-“kriminaliteti i jakave të bardha”, që gjithmonë më ka sfiduar në kuptimin e krahasimeve të termeve me realitetin me të cilin po përballemi vazhdimisht. A duhet që drejtësia të reformohet nga njerëz me duar të pastra? Patjetër që po, derisa këto njerëz nuk ngecin në pengesën e parë të jenë “të përlyer”.
KOHA: Për rikthimin e besimit të humbur në gjyqësorin e politizuar dhe të korruptuar në skajshmëri, i kritikuar jo vetëm nga brenda por edhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, duhet punë, drejtësi, apo…?
KADRIU: Republika e Maqedonisë ka problem me sundimin e ligjit. Nëse rregullat ligjore respektohen, ato domosdoshmërisht do të kenë pasoja pozitive edhe në funksionimin e pushtetit gjyqësor. Sundimi i ligjit nënkupton që zgjedhja e gjyqtarëve, puna e tyre, përgjegjësia dhe shkarkimi nga funksioni, të bëhen në përputhje me rregullat ligjore. Në këtë formë, fillimisht, zgjedhja e gjyqtarëve duhet të bëhet nga juristët më të aftë dhe me vlera më të larta morale. Zbatimi i rregullave ligjore për zgjedhjen e gjyqtarëve, sidomos përzgjedhja nga, dhe trajnimi i tyre në, Akademinë për trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të garantojë zgjedhjen e kandidatëve më të mirë. Nga ana tjetër, edhe përgjegjësia dhe shkarkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të jetë selektiv, por sistemi i përgjegjësisë dhe shkarkimit duhet të funksionojë në mënyrë objektive dhe të njëjtë për të gjithë. Këtu rol të rëndësishëm ka Këshilli gjyqësor, i cili kontrollon punën e gjyqësorit. Por, dikush duhet të kontrollojë edhe punën e Këshillit gjyqësor dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit. Madje, është problematike përse kur një pjesë e anëtarëve të Këshillit gjyqësor nuk plotësojnë kushtet për të qenë gjyqtarë, ndërsa duhet të kontrollojnë punën e gjyqtarëve! Nga aspekti i punës së gjyqtarëve, ajo gjithashtu duhet të bëhet në përputhje me rregullat ligjore. Ja vetëm një aspekt. Shpërndarja e lëndëve duhet të bëhet sipas sistemit elektronik të shpërndarjes, me qëllim që mos t’iu jepen lëndët gjyqtarëve me qëllim lënda të merr epilog të caktuar. Mosrespektimi i rregullave për shpërndarjen elektronike të lëndëve ka çuar që edhe raporti i ekspertëve evropian (Raporti i Pribesë) të theksojë një gjë të tillë. Shkurtimisht, Republika e Maqedonisë ka kornizë të mirë ligjore për punën e gjyqësorit. Natyrisht, hapësirë për avancim ka gjithmonë. Por, zbatimi i përpiktë i këtyre rregullave ligjore ka dështuar dhe duhet të rikthehet nga ana e organeve.
KOHA: Kthimi i sundimit të ligjit dhe shtetit ligjor nuk ka alternativë dhe se kjo do të arrihet përmes çrrënjosjes së të gjitha dukurive negative dhe rivlerësimit të plotë të gjyqësorit?
KADRIU: Sundimi ligjit dhe pushteti gjyqësor i pavarur dhe objektiv, janë vlera universale. Këto vlera shkojnë në interes të të gjithëve, për çka të gjithë duhet të jemi të interesuar, dhe sidomos autoritetet shtetërore që kanë marrë besimin nga qytetarët për qeverisje. Këto vlera janë të ndërlidhura njëra me tjetrën. Në njërën anë sundimi i ligjit ndikon në pavarësinë e gjyqësorit. Respektimi i rregullave ligjore për zgjedhjen, punën dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve duhet të sigurojë një gjyqësor më objektiv, të paanshëm, profesional dhe të drejtë. Nga ana tjetër, meqë pushteti gjyqësor i zbaton ligjet në raste konkrete dhe shqipton drejtësinë, është pikërisht një nga hallkat që duhet të sigurojë zbatimin e parimit të sundimit të ligjit. Demokracia është një sistem i përbërë nga shumë elemente, që nëse funksionojnë të gjithë si duhet, kemi demokraci të mirëfilltë. Përkundrazi, nëse një element nga sistemi nuk funksionon si duhet, i gjithë sistemi shembet. Mosrespektimi i sundimit të ligjit ndikon në një gjyqësor jo-objektiv dhe të padrejtë. Sistemi gjyqësor jo-objektiv dhe i padrejtë prodhon procese të montuara politike, shkelje të të drejtave të njeriut në masë të madhe, madje edhe cenim të lirisë së shprehjes duke shqiptuar dënime ose kompensim dëmi në raste të shpifjes. Mosfunksionimi i sundimit të ligjit dhe pushtetit gjyqësor ka ndikuar që të krijohet edhe perceptimi për mos-përgjegjësinë e bartësve të funksioneve publike, që tani Prokuroria Speciale mundohet ta ndryshojë.
KOHA: Derisa rëndësia e veçorive kombëtare, regjionale, si dhe të kaluarat e ndryshme historike, kulturore dhe fetare duhet të merren parasysh, është obligim i të gjithë neve edhe i shtetit tonë?
KADRIU: Përgjegjësia më tepër bie mbi shtetin, i cili duhet të bëjë çdo gjë që secili qytetar, pa dallim përkatësinë fetare, etnike ose kulturore që e ka, të ndjehet sikur jeton në shtetin e tij. Shteti duhet të bëjë që të gjithë qytetarët të kenë të drejta të barabarta dhe ata të drejta t’i gëzojnë dhe ushtrojnë në jetën e përditshme. Shteti duhet të punojë në drejtim të tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme që jetojnë në të. Sa Maqedonia ka arritur të bëjë një gjë të tillë është për tu diskutuar. Ka shumë argumente që e dëshmojnë pikërisht të kundërtën.
KOHA: z. Kadriu, çfarë privilegji iu jep të jeni djali i Profesorit Osman Kadriu?
KADRIU: Profesor Osmani është jurist i dalluar dhe, si i tillë, është i mirënjohur dhe i pranuar nga të gjithë në Republikën e Maqedonisë. Për atë arsye është privilegj për mua të jem djali i tij, por njëkohësisht është edhe sfidë për të dalë përtej asaj të jem i njohur vetëm si “djali i profesor Osmanit”. Kjo është gjë e vështirë për ta bërë!
KOHA: Kë mbroni më shumë, drejtësinë apo familjen?
KADRIU: Drejtësia dhe familja nuk janë vlera që i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës, por plotësohen. Një person duhet të mbrojë edhe drejtësinë edhe familjen. Sidoqoftë, mbrojtja e drejtësisë domosdoshmërish do të dominojë sepse familja nuk mund të mbrohet duke qenë i padrejtë. Përkundrazi, të jeni të padrejtë, qoftë edhe në mbrojtje të familjes, më tepër i bëni dëm familjes, sesa mbroni.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.