Delvina KËRLUKU
Valdet Xhaferi u lind më 30 tetor 1989 në Shkup, shkollën fillore të kryer në Sh.F. “Ismail Qemali” në Gostivar, shkollën e mesme në “SHMK Gjimnazi Gostivar”. Arsimin sipëror në UEJL. Pas përfundimit të studimeve është punësuar në Universitetin e Tetovës, ku ka ushtruar për dy vite detyrën e sekretarit në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit. Nga viti 2014 ka qenë pjesë e kabinetit të ministrit të Drejtësisë si këshilltar ligjor dhe në prag të emërimit si ministër, ka magjistruar në shkencat juridike në sferën penale pranë UEJL-së. Xhaferi është i martuar.
KOHA: Si ish ministër i Drejtësisë, cilat janë disa nga të arriturat e ministrisë që ju drejtuat?
XHAFERI: Detyrën e ministrit e kam marrë në një periudhë mjaftë sfiduese dhe problematike si rezultat i rrethanave dhe krizës së thellë politike. Pikërisht një nga hallkat më problematike të prodhimit të kësaj krize ishte vet funksionimi i sistemi gjyqësor në vendin tonë, edhe pse kryesisht në një qeveri teknike pa funksionim të mirëfilltë, konsideroj se falë angazhimit tonë të përbashkët, së bashku me kabinetin tim kemi realizuar punë dhe detyra të cilat sot kanë zënë vendin e vet në sirtarin e projekteve të realizuara nga një ministër shqiptar i drejtësisë. Një moment tejet i rëndësishëm për mua që do ta mbaj mend gjatë gjithë jetës time, është vendimi i parë të cilin e nënshkrova në detyrën e re. Me aktvendim të sjellë nga ministri i Drejtësisë, për herë të parë regjistrohen në librin amë të të lindurve bineqët Adem dhe Hamzë Jashari të lindur në vitin 1999. Ky vendim ka gjithsesi peshën simbolike për nismën e mbarë të punës sime, duke marrë parasysh se vendimi për këta dy fëmijë që mbajnë emrat e heronjve të historisë më të re të shqiptarëve, u mor në ditën e parë të funksionimit tim si ministër. Më tutje pasuan një varg projektesh me peshë e rëndësi politike që determinuan kahen e funksionimit, tim drejt ngritjes së kuadrove të reja dhe përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në institucionet kyçe të drejtësisë, siç janë emërimet nëpër gjykata dhe prokurori. Gjatë kësaj periudhe në Gjykatën e lartë administrative u emëruan dy gjykatës shqiptarë; një gjykatës në Gjykatën administrative; dy gjykatës në Gjykatën e Apelit Gostivar; dy prokurorë në Prokurorinë e Lartë të Republikës së Maqedonisë; një prokuror në Prokurorinë Republikane; një anëtar në Këshillin e Prokurorëve Republikan. Gjithashtu fokus të veçantë në këtë drejtim pati edhe rritja e kuadrove shqiptarë në sferat tjera të drejtësisë në Maqedoni, dhe kjo u arrit me emërimin e katërmbëdhjetë noterëve shqiptarë, edhe atë katër noterë shqiptarë në Gostivar; dy noterë shqiptarë në Tetovë; katër noterë shqiptarë në Shkup; dy noterë shqiptarë në Strugë; dy noterë shqiptarë në Kumanovë; si dhe emërimi i përmabrueses së parë shqiptare në Maqedoni, znj. Monika Muça si përmbaruese për territorin e Gjykatave të Shkupit. Këta janë vetëm disa nga projektet të cilat janë realizuar gjatë periudhës së shkurtër 14 muajsh të mandatit tim si ministër.
KOHA: Ministria e Drejtësisë ka qenë shënjestër e kritikave për neglizhencën e punëve, zvarritje të obligimeve.., me cilat sfida jeni ballafaquar më shumë në këtë drejtim?
XHAFERI: Gjyqësori në përgjithësi ka pasur ngecje të theksuara të cilat janë konstatuar nga të gjithë palët, qytetarët në radhë të parë por edhe të gjithë organizmat dhe institucionet brenda dhe jashtë vendit, në veçanti Komisioni Evropian, ka pasur vërejtje për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Maqedoni, e sidomos në punën e gjykatave dhe prokurorisë. Megjithatë, konsideroj se ministria e Drejtësisë si institucion, ka kooperuar me dinamikë të përshpejtuar me të gjitha detyrat dhe obligimet që janë adresuar në veçanti nga raporti i Pribes, por me intensitet po ashtu të shpejt ka shqyrtuar edhe obligimet, të cilat dalin për këtë institucion nga reformat urgjente prioritare, shembuj konkret për këtë që po flasim janë: propozimi dhe miratimi i Ligjit për avokatin e popullit, në të cilin ligj rriten kompetencat e Avokatit të popullit, që është në përputhje me reformat urgjente prioritare. Në qeveri kaluam propozimin e ligjit për heqjen e ligjit për Këshillin për përcaktimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatësve, që ishte rekomandim i KE-së, raportit të Pribes dhe Komisionit të Venedikut, si dhe përgatitëm ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor, po ashtu konform rekomandimeve dhe vërejtjeve të raportit të Pribes dhe Komisionit të Venedikut, të gjitha këto dhe shumë projekte tjera, janë edhe një dëshmi se ministria e drejtësisë të gjitha detyrat, obligimet dhe projektet që ka pasur në kompetencë të saj, konform ligjeve dhe kushtetutës së RM-së i ka përmbushur në afat dhe kohë të paraparë sipas strategjive përkatëse.
KOHA: U njohëm si ministër, ndërsa cili jeni me profesion, cila është puna që keni kryer përpara se ta merrni ministrinë?
XHAFERI: Jetën publike nëse mund ta quajmë kështu e kam filluar herët, edhe atë që në shkollë të mesme. Si gjimnazist kam qenë pjesë aktive e shumë OJQ-ve, me të cilat kemi realizuar një numër të konsiderueshëm të aktivitete të ndryshme. Pas përfundimit të studimeve, jam punësuar në Universitetin e Tetovës, ku kam ushtruar për dy vite detyrën e sekretarit në Fakultetin e Teknologjisë ushqimore dhe të ushqyerit. Nga viti 2014 kam qenë pjesë e kabinetit të ministrit të drejtësisë si këshilltar ligjor dhe në prag të emërimit tim si ministër, kam magjistruar në shkencat juridike në sferën penale pranë UEJL-së.
KOHA: Ministri i Drejtësisë ndodh të ketë pasur një takim me një grup punues, në të cilën kanë marrë pjesë edhe ekspertë të jashtëm të Unionit Evropian, dhe përfaqësues të të gjitha strukturave gjyqësore në Maqedoni, duke filluar nga Prokurori Shtetëror, kryetari i Gjyqit Suprem, Këshillit Gjyqësor, këshillit të Prokurorëve etj., me qëllim që të krijojmë një strategji për zhvillimin dhe reformimin e sistemit juridik të Maqedonisë. Sa është vepruar në këtë drejtim, ku edhe keni pasur rolin e ministrit?
XHAFERI: Çdo shtet përballet me nevojën imanente për reforma në gjyqësi, pavarësisht se për cilin shtet flasim qoftë edhe ndonjë nga shtetet më të zhvilluara të BE-së, do të thotë nuk ka shtet në botë që nuk ka nevojë për reforma. Të gjithë jemi koshientë se e drejta është kategori evolutive, kategori e ndryshueshme dhe dinamike.
Ajo ndryshon varësisht nga etablimi i marrëdhënieve shoqërore brenda shtetit. Nga ky këndvështrim edhe Maqedonia me situatën dhe krizën e thellë që ka pasur ndodhet përballë një sfide të vështirë për një reformë të mirëfilltë në gjyqësor. Ministria e drejtësisë në kontinuitet ka punuar në grupet e punës të përbëra nga ekspert të vendit dhe ekspert të jashtëm, të cilët në gjashtë kapituj i kanë mbuluar të gjitha sferat e gjyqësorit, duke e përgatitur strategjinë për reforma në gjyqësor e njohur ndryshe si strategjia “16-20” ku e njëjta është dorëzuar në Komisionin Evropian, për të cilën Maqedonia ka marrë përgjigje dhe vazhdon që të punojë edhe sot në implementimin e plotë, deri në arritjen e qëllimit final, reformën e mirëfilltë në drejtësi. Tendenca e kësaj strategjie ka qenë dhe është që të realizohet diçka shumë më konkrete në aspekt të reformimit, krijimit të një sistemi më të mirë nga ajo që e kemi aktualisht.
KOHA: Gjyqësori në Republikën e Maqedonisë, edhe pse juridikisht besohet se është i pavarur, megjithatë, për fat të keq, ka qenë apo është nën presion të ndikimeve politike, por edhe të grupeve të biznesit?
XHAFERI: Në këtë situatë, si faji ashtu edhe pasojat janë reciproke duke marrë parasysh faktin që gjyqësori është pushteti i tretë dhe se duhet të ketë integritetin e duhur, për të neutralizuar ndikimet nga jashtë, përderisa pushteti ekzekutiv duhet të marrë mbi supe obligimin për të eliminuar hapësirat për presion ndaj gjyqësorit. Gjithsesi, vlerësoj që realiteti në këtë drejtim jo gjithmonë ka korresponduar me këta parametra, por e them me bindje të plotë që gjatë mandatit tim, janë ndërmarrë të gjitha masat të cilat janë në kompetencën e ministrit të drejtësisë, për realizim të përgjegjësive ndaj çrrënjosjes së të metave të detektuara të këtij sistemi. Kjo gjithsesi që ka qenë pjesë e procesit të përbashkët për një reformë të mirëfilltë e gjithëpërfshirëse në gjyqësor.
KOHA: Burgjet në Republikën e Maqedonisë, ashtu siç konstatoi edhe kryeministri, janë në kushte të mjerueshme. Këtë situatë aktorët e qeverisë e kanë vërejtur edhe përpara se të emëroheni Ju ministër. Por, sa është punuar dhe sa punohet në përgatitjen e një strategjie për investime në të gjitha burgjet në R.M. Së pari, në drejtim të sigurimit të një kornize financiare, pastaj në përmirësimin e kushteve duke u ofruar atyre kushte paksa më të mira? Ju vetë keni vizituar burgjet?
XHAFERI: Patjetër që po. Gjatë periudhës time i kam vizituar burgjet edhe atë vizitën e parë e kam realizuar në burgun e Idrizovës – burgun më të madh në vend. Gjithashtu kam vizituar edhe burgun e Strugës dhe atë të Tetovës. Këto vizita i kam shfrytëzuar për të parë nga afër kushtet dhe mënyrën e funksionimit të burgjeve dhe personave të cilët janë në vuajtje të dënimit, vizitat e mia nuk i kam realizuar vetëm me udhëheqjen e burgut, por edhe me stafin, administratën dhe drejtpërsëdrejti kam komunikuar me të burgosurit, me të vetmin qëllim, për t’u njohur sa më realisht me rrethanat në të cilat ndodhen burgjet tona. Burgjet gjithashtu kanë një problem esencial përveç kushteve jo të mira, ato përballen edhe me mbipopullimin e të burgosurve në raport me kapacitetet që kanë. Si rrjedhojë është sjell ligji për probacion që do të ndihmojë në uljen e numrit të të burgosurve në burgje dhe do të mundësojë vuajtjen alternative të dënimit për personat dhe kategoritë e caktuara. Është hartuar edhe paraprakisht një strategji, për ndërtimin e objekteve të reja në disa burgje të vendit dhe janë paraparë mjete për investim në përmirësimin e kushteve, e gjithë kjo me përkrahje edhe të BE-së duke shfrytëzuar fondet IPA, për të përmirësuar dhe ndryshuar situatën aktuale të shtëpive edukuese-përmirësuese, por edhe të burgjeve në përgjithësi.
KOHA: Në Ministrinë e Drejtësisë vazhdimisht po rritet numri i shqiptarëve dhe pjesëmarrësve tjerë të bashkësive jo shumicë në vend. Pjesëmarrja e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera jo shumicë në pushtetin gjyqësor, përbën 14 për qind. Jemi larg asaj që e parasheh Marrëveshja e Ohrit?
XHAFERI: Po, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat konsideroj se ka evoluar në hapa te konsiderueshëm, në radhë të parë në vet ministrinë e Drejtësisë ka arritur në 44%. Progres është bërë edhe në pjesën e gjykatave dhe prokurorisë, nga Kumanova deri në Dibër kemi kryetar gjykatash shqiptar por edhe në nivelet tjera të gjyqësorit. Vlen të theksohet fakti se gjatë vitit 2016 për herë të parë në akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik janë pranuar 9 kandidatë nga gjithsej 30, si rezultat i zbatimit adekuat të normës për përfaqësim të drejtë të bashkësive tjera. Në pjesën e prokurorisë, gjithashtu me rëndësi të veçantë është ndryshimi i ligjit për akademi në kuadër të të cilit është shpallur konkurs për 60 vende nga të cilët një pjesë e tyre ishin kandidatë shqiptar. Ndryshimi i Ligjit për akademi, konsideroj se do të kishte qenë zgjidhja e nyjës, që ka lënë të ecë në hapa të ngadalshëm përfaqësimin e drejt dhe adekuat në gjyqësor.
KOHA: Si kuptohet nga ana e juaj drejtësia dhe të qenit ministër i Drejtësisë?
XHAFERI: Drejtësia është hyjnore, ajo vendos mbi fatet e njerëzve. Detyra e ministrit është obligim që bartë përgjegjësi të mëdha, por sigurisht në vete ka edhe efektin pozitiv, gjithmonë nëse arrin t’ia dalësh që këtë detyrë ta ushtrosh me dinjitet, vendosmëri dhe profesionalizëm për të arritur qëllimin final, e që është përmbushja e të gjitha detyrave me sukses pavarësisht sfidave dhe problemeve me të cilat mund të përballesh.
KOHA: Sot në Maqedoni më mirë ministër, deputet, drejtor apo administrator?
XHAFERI: Secila nga këto detyra që përmendët kanë rëndësinë në njërën apo në formën tjetër, për mua është e rëndësishme, pa dallim se në cilën detyrë jemi, të jemi në krye të saj, të japim maksimumin për të përmbushur të gjitha parametrat, të cilat i kërkon puna dhe qytetari, është e thjesht, udhëheqësi duhet të jetë servis i qytetarëve, postet të merren si përgjegjësi e jo si privilegje.
KOHA: Kanë folur shumë për drejtësinë, si ‘Falja nuk zëvendëson drejtësinë’. Cila është motoja juaj, për drejtësinë?
XHAFERI: Thuaje të vërtetën dhe zbatoje drejtësinë, qoftë ajo edhe kundër vetes tënde !