Përveç kundër urdhrit për nisjen e vuajtjes së burgut për babain e Almirit, protestuesit reaguan edhe kundër Këshillit Komunal të Kumanovës që i ndau vendim pune Bojan Iliçit, vëllai i Bobanit. Bojani, gjithashtu pjesëmarrës në rrahje me familjarët e 4-vjeçarit të ndjerë, u punësua nga Komuna në Njësitin e zjarrfikësve në Kumanovë
Zenel MIFTARI
Kumanovë, 22 shkurt – Protestë në Kumanovë pas urdhrit të Gjykatës Themelore që babai i Almir Aliut, katërvjeçarit që u shkel për vdekje me veturë nga Boban Iliqi, të paraqitet në burgun e Kumanovës me datë 1 mars vuajtjen e dënimit prej 6 muaj burg. Vendimi i gjykatës së Kumanovës e ngarkon Sedat Aliun me gjashtë muaj burg, ndërsa dy familjarët e tij, Avdulla Aliu dhe Sami Demiri me 9 muaj burg. Përveç kundër këtij vendimi, protestuesit reaguan edhe kundër Këshillit Komunal të Kumanovës që i ndau vendim pune Bojan Iliçit, vëllai i Bobanit. Bojani, gjithashtu pjesëmarrës në rrahje me familjarët e 4-vjeçarit të ndjerë, u punësua nga Komuna në Njësitin e zjarrfikësve në Kumanovë.
Këto dy veprime kanë irrituar qytetarët e Kumanovës, të cilët vendosën të protestojnë para Gjykatës Themelore në Kumanovë dje me fillim nga ora 12:30. Qindra qytetarë të grumbulluar nga xhamia e qytetit, u drejtuan drejtë Gjykatës Themelore të Kumanovës dhe objektit të Komunës me parulla “duam drejtësi”, “drejtësi për Almirin”, “Unë jam Almiri” dhe parulla të tjera të ngjashme.
Fuat Aliu, familjar i të voglit Almir Aliu, tha se janë mbledhur të shprehim indinjatën e tyre kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Kumanovë, e cila përkundër lehtësimeve ndaj vrasësit të Almirit, ka vendosur të dënojë prindin e vogëlushit me gjashtë muaj dhe kushëririn e tij me nëntë muaj heqje lirie. “Ne jemi sot këtu që t’i themi kësaj Gjykate që për ne nuk ndanë aspak drejtësi, por po vepron njëjtë si gjykatat e Millosheviçit dikur”, tha Fuat Aliu. Ai shtoi se ky vendimi është etnocentrik dhe diskriminues për shqiptarët. “Ftojmë Gjykatën ta shqyrtojë këtë vendim dhe të mos i diskriminoj bashkëqytetarët. Ne jemi në anën e viktimës, në anën e drejtësisë dhe jo në anën e vrasësit… Kërkojmë që zëri i popullit të dëgjohet”. Në anën tjetër, prindi i Almir Aliut – Sedat Aliu, para mediave u shpreh se kur u mor vendimi për rikualifikimin e lëndës së Boban Iliçit, u ftua nga Artan Grubi, i cili i kishte premtuar që do ta ngrit një Komision parlamentar për çështjen e Almirit, por që siç tha Sedati, tre vite nga ai takim, ende asgjë nuk është ndërmarr ë. “Ne kërkojmë vetëm drejtësi nga kjo Gjykatë, pra ajo që na takon dhe asgjë më shumë”, deklaroi Sedat Aliu.
Ndryshe, qytetarët tjerë që protestuan thanë se sistemi i drejtësisë në vendin tonë është kalbur dhe po vepron në mënyrë selektive. Sipas tyre, Gjykata po dënon në baza etnike dhe jo sipas ligjeve. Në korrik të vitit 2016-të, vogëlushit katër vjeçar nga Kumanova, jetën ia mori Boban Iliq, i cili e shtypi me makinën e tij qëllimisht pasi disa minuta më parë, i kishte paraprirë një zënkë verbale mes familjarëve të Almirit dhe Bobanit. Vlen të ceket se fillimisht vrasësi i fëmijët katër vjeçar, Bojan Iliç u akuzua për “vrasje”, por më pas Gjykata vendosi ta rikualifikojë lëndën nga “vrasje me paramendim” në vepër “aksident i rëndë me pasojë vdekje”, ndërsa dënimi i parë nga 6 vjet burg ju shkurtua në 4 vjet. (koha.mk)