Omer XHAFERI
Shkup, 20 mars – Vrasja e dytë të vogëlushit Almir Aliu, nga sistemi gjyqësor i Maqedonisë, ka ngjallë reagime te shumta në opinion. Mospërndjekja e vrasësit Boban Iliq, për veprën penale “vrasje me paramendim”, dhe rikualifikimi i lëndës në vepër penale “aksident me pasoja të rënda komunikacioni”, ka shkaktuar pakënaqësi të papërshkruar te publiku, shkruan gazeta KOHA. Zyrtarizmi i kërkesës që vrasja e Almirit, mëtej të procedohet si aksident trafiku, qytetarët e kanë kuptuar si një porosi se piramida e organeve gjyqësor, nuk ka mësuar nga gabimet që i ka bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve. Në këtë drejtim statuset, komentet dhe apelet e ndryshme të drejtuara përmes rrjeteve sociale, thonë se protesta e radhës e paralajmëruar për 21 mars, duhet të mbështet masovikisht.
Nga iniciativa qytetare “Drejtësi për Almiri”, duke i komentuar reagimet dhe revoltën popullatës, për padrejtësinë e radhës që ju bëhet shqiptarëve, për gazeta KOHA, thonë se të mërkurën me 21 mars, pritet një prezencë më masive e popullatës, në protestën e katër me radhë, ku për muaj të tërë kërkohet që Boban Iliqi, të gjykohet si vrasës dhe jo ndryshe. Organizatorët e protestës për vrasjen e vogëlushit Almir Aliu, mes tjerash theksojnë se janë të vetëdijshëm për rritjen e mllefit te qytetarët nga vendimi joprofesional, tendencioz dhe i padrejtë i organeve të drejtësisë. Me këtë rast ata apelojmë që në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, të gjithë qytetarët të tubohen para Qeverisë së Maqedoni dhe t’i përcjellin kërkesat e tyre për drejtësi.
“Sloganet, pankartat dhe ikonografia që do të përcjell protestën është duke u përgatitur nga organizatorët dhe përmban ekskluzivisht thirrje për korrigjim të padrejtësisë ndaj Almirit dhe kërkesa për funksionim të së drejtës. Nga qytetarët që do të na bashkëngjiten në protestë kërkojmë të marrin me vete një kukull apo çfarëdo lodre të fëmijëve të tyre si simbol i lojës fëmijërore që iu ndërpre herët Almirit nga dora e vrasësit fillimisht dhe së dyti nga dora e sistemit të drejtësisë në këtë vend. Duke marrë shembull nga familja e Almirit dhe qetësia e tyre, të cilët përkundër dhembjes që po jetojnë me humbjen e më të dashurit dhe rivrasjen e tij në çdo seancë, përfshi dhe atë të kobshmen- të rikualifikimit, ne do të protestojmë të qetë”, thuhet në apelin e iniciativës “Drejtësi për Almirin”.
Përvoja e hidhur nga protestat e viteve të kaluar, kundër sistemit të partiazuar dhe të korruptuar gjyqësor, ku shqiptarët dënoheshin edhe pse protestonin, sipas shumë opinionistëve nuk duhet të përsëritet edhe kësaj radhe. Eskalimi i protestë, incidentet eventuale apo dhuna e cila paralajmërohet të ndodhë, siç thonë njohësit e këtyre rrethanave, aspak nuk duhet të lejohen. Gjakftohtësia dhe vetëdija e lartë qytetare, ashtu siç është prezent në familjen e Aliu, për gati dy vite, nga koha kur është vrarë vogëlushi katërvjeçare e deri më sot, duhet të jetë model edhe për protestuesit dhe popullatën e cila të mërkurën do të dal të protestoj.
Rivrasjen e Almiritit, siç thonë organizatorët e protestës e ka kryer sistemi gjyqësor i kapur nga politika dhe struktura të tjera. Ashtu si që kemi protestuar si në mort deri tani, organizatorët apelojnë që ashtu do të protestohet edhe të mërkurën. Heshtja mortore siç thonë ata është më e fuqishme se mijëra brohoritje.
Ndryshe, distancimi i katër prokurorëve shqiptar (të cilat janë pjesë e Prokurorisë Republikane, e cila e miratoi vendimin për rikualifikimin e aktakuzës në rasti ne Almir Aliut) për shumë qytetarë paraqet një hap të pamjaftueshëm. Përmes reagimeve të ndryshme në rrjetet sociale, ata kërkojnë që prokurorët dhe gjykatësit shqiptar nga Kumanova e deri në Strugë, që punojnë në këtë sistem të qelbur duhet të dalin dhe të kundërshtojnë hapur ketë padrejtësi në baza etnike. Heshtja e shqiptareve që punojnë në të gjitha instancat e sistemit gjyqësor në vend, sipas tyre nënkupton se të njëjtit pajtohen me vendimin politik të Prokurorisë Republikane. Kësisoj ato apelojnë që protestës së 21 mars, duhet t’i prijnë pikërisht prokurorët dhe gjykatësit shqiptar. (koha.mk)