Drejtësi e kalbur në thesin e tyxharëve!

Ka kohë që mediat kanë alarmuar për pasojat që krijon një sistem i deformuar drejtësie, sidomos kur rrënjët e tij ndodhen ose në segmente të caktuara të politikës, ose në klane oligarkësh që si stil pune kanë tyxharllëkun e veshur me petkun e baronëve të dalur vonë në shehër.
Të ndodhur krejt në një thes, kalbja si proces është e pashmangshme dhe pasojat mund të shembin edhe atë pak kredibilitet që mundohet ta ruaj një grup njerëzish të ndershëm të politikës e biznesit

Nga Emin AZEMI

Haraç dhe prokurorë të korruptuar. Kur këta dy komponentë kombinohen,fitojmë një shtet kukull që është i zënë peng nga një tufë banditësh të pashpirt.
Katica Janeva papandehur shkoi në “pushim mjekësor”, dhe mjekët ende nuk kanë dhënë ndonjë diagnozë se prej çfarë komplikimesh shëndetësore vuan zonja kryeprokurore Speciale, por ajo që po i mungon këtij vendi është diagnoza e saktë e politikës për ardhmërinë e institucioneve shtetërore, pas këtij skandali të turpshëm.
Afera ‘haraçi’ po del të jetë maja e ajsbergut të një gjendjeje të shtresuar, me muaj e vite, dhe si e tillë kjo aferë nuk kishte mundur të lëshojë rrënjë pa një kulturë të trashëguar të mosndëshkimit të krimit.
Teatraliteti para kamerave televizive që ndodhi ditë më parë në fshatin Lubeten, ishte vetëm një perde tymi për t’u dukur në publik se shteti është shumë aktiv në luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit. Kësaj, në gjuhën e imazhit i thonë pozeri.
Në fakt, shteti i këtushëm gjithmonë është marrë me sajimin e alibirave, për të fshehë një gajle më të madhe që nuk ka ditur si ta kamuflojë. Sajohej ‘Kumanova’ për të amortizuar ‘bombat’ e Zaevit. Inskenohej ‘Monstra’ për të fshehë mafiozitetin rreth disa çështjeve pronësore në rajonin e liqenit të Smilkovës. Burgoseshin disa punonjës në pikat pagesore-rrugore, për të mbuluar një rrjet të brendshëm kriminal të zyrtarëve të lartë shtetërorë, etj etj.
Gjithmonë alibitë dhe pretekstet gjenden, kurse gajlet e shtetit për fshehjen e hienave të krimit dhe haraçit kanë gjet një terapi parandaluese, por jo krejtësisht shëruese. Sepse, herët a vonë ‘sëmundja’ nuk mundet të fshihet, madje edhe nga vetë ata që janë të prekur.
Një biznesmen dallaverexhi si Kamçevi, që tani u mundua të vetëprezantohet si viktimë e banditëve të haraçit, ngjashëm si një koleg pararendës i tij – Ramkovski, janë fotografia më e shëmtuar e lidhjes së keqe të tyxharllëkut me politikën. Këta tyxharë të tranzicionit i dogjën të gjitha kartat e sipërmarrësish së lirë dhe krijuan monopole që shteti ua kishte lënë në duar si një thes i grisur. Në fund doli të jetë edhe thesi i zbrazët, por edhe ata që e bartën atë përfunduan si lypsarë.
“Shfercerllëku” i krejt kësaj cirkusiade “semki kikiriki” – ala makedonçe, nuk ka mundur të funksionojë pa prapavijën e togës së gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar, të cilët lirinë e kriminelëve e banditëve e këmbyen me ryshfete të majme. Fëmijët e tyre ka vite që jetojnë në resortet më luksoze të botës, falë haraçit që prindërit e tyre morën në emër të (pa)drejtësisë së qelbur. Janë po ata gjyqtarë e prokurorë të cilët pa iu dridhur qerpiku shqiptuan dënime me vdekje për shqiptarë të pafajshëm, ndërkohë që vrasësin me paramendim të Almirit të vogël e shpallin një kundërvajtës të thjeshtë të trafikut(!). Tash në sipërfaqe doli edhe një jashtëqitje tjetër (lexo: “afera haraçi”) që ata e kishin përtypur me vite.
Drejtësia këtu ende nuk ka iniciuar kurrfarë procesi ndaj ish prokurores Kryespeciale, e cila “rastësisht” ka qëlluar të jetë “ndrikull” e disa prej baronëve të haraçit, por çdo vonesë në këtë drejtim nxjerr në pah dimensionet e kalbjes së shtetit. Nëse dikush nga politika mundohet ta mbrojë atë, kjo do të ishte fatale edhe për atë grimcë autoritet që i ka mbet shtetit në sytë e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar.
Ka kohë që mediat kanë alarmuar për pasojat që krijon një sistem i deformuar drejtësie, sidomos kur rrënjët e tij ndodhen ose në segmente të caktuara të politikës, ose në klane oligarkësh që si stil pune kanë tyxharllëkun e veshur me petkun e baronëve të dalur vonë në shehër.
Të ndodhur krejt në një thes, kalbja si proces është e pashmangshme dhe pasojat mund të shembin edhe atë pak kredibilitet që mundohet ta ruaj një grup njerëzish të ndershëm të politikës e biznesit.
Mediat, sërish dolën distiluesit (hiq përjashtimet) më të kulluar të deformimeve që po e ndjekin këtë shoqëri. (koha.mk)