Kanë kaluar 14 ditë prejse kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është dorëhequr nga pozita e shefit të Qeverisë, megjithëkëtë presidenti Hashim Thaçi ende nuk i ka thirrur partitë kryesore parlamentare për t’u konsultuar rreth tejkalimit të situatës së krijuar tash e dy javë. Si rrjedhojë e kësaj përfaqësuesit e opozitës i kanë dhënë ultimatum kreut të shtetit që nëse nuk thërret takim gjatë ditëve në vijim, do t’i mbledhin votat për ta shpërndarë Kuvendin javën që vjen, shkruan Gazeta ‘Zëri’.
Gjersa ka komentuar zhvillimet e fundit në vend profesori universitar Arben Fetoshi ka konsideruar se vetë dorëheqja e papritur e kryeministrit ka krijuar situatë të papritur politike.
Ndaj vonesat procedurale sipas tij janë pasojë e nevojës për sqarim në planin e brendshëm, për shkak të Kuvendit Zgjedhor të LDK-së dhe në planin ndërkombëtar për shkak të insistimit që sa më shpejt të arrihet marrëveshja me Serbinë.
Por duke u nisur prej deklarimeve të përfaqësuesve të partive politike Fetoshi ka thënë se nga fundi i javës që vjen mund të ketë shpërbërje të Kuvendit.
“Nëse bazohemi në deklaratat e partive politike për zgjedhje, atëherë nga fundi i javës së ardhshme mund të shpërndahet Parlamenti dhe të caktohet data e zgjedhjeve, ndonëse unë nuk e përjashtoj vazhdimin e përpjekjeve për një zgjidhje të përkohshme që do t’i shmangte zgjedhjet”, ka deklaruar ai.
Opozitës sipas Fetoshit i konvenon shkuarja sa më e shpejtë në zgjedhje.
Ndaj, nëse nuk do të ketë ndërhyrje të ndërkombëtarëve nuk do të mbetet opsion tjetër përveç zgjedhjeve, veçmas kur dihet që edhe koalicioni PAN tashmë është i përçarë. Meqë kuvendi i LDK-së pritet të mbahet të shtunën, situata politike siç Fetoshi është shprehur do të qartësohet më shumë javën e ardhshme, qoftë duke thirrur një seancë për ta shpërndarë Kuvendin, qoftë duke vazhduar konsultimet nga ana e presidentit.
“Në qoftë se nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët për të tentuar një qeveri teknike ose gjithëpërfshirëse, që do të mandatohej kryesisht për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, atëherë zgjedhjet janë të pashmangshme dhe objektivisht mund të ndodhin nga mesi i shtatorit”, ka potencuar ai.