Lukas Bilja u transferua tek Milani dy sezone më parë, por aventurës së tij tek kuqezinjtë duket se i ka ardhur fundi. Sipas asaj që shkruan “Sky Sport”, mesfushori mund të kalojë tek Xhenoa, pasi këta të fundit kanë shfaqur interes për të marrë shërbimet e lojtarit.
Trajneri Aurelio Andrecoli është i bindur se Bilja do të shkëlqejë në “Marasi”, dhe do të kthehet në fomën e tij më të mirë, pas dy viteve të vështira.
Argjentinasi nuk është në planet e teknikut të ri, Xhampaolo, dhe largimi i tij duket më shumë se një zë merkatoje. 33-vjeçari si fillim duhet të ndërpresë kontratën e tij me kuqezinjtë, dhe më pas do të kalojë tek Xhenoa, ku do të firmosë një kontratë dy vjeçare, me mundësi edhe për një sezon tjetër, në varësi të paraqitjeve.
Në rast se ky transferim ndodh, atëherë Xhenoa do të ishte klubi i tretë për Biljan në Serinë A, pasi më parë është aktivizuar me Lacion dhe së fundmi aktivizohet tek Milani.