Migrimi më i theksuar është nga fshati në qytet, i cili përfshin 38 për qind të shpërnguljeve, ndërkohë ai nga qyteti në qytet arrijnë 8 për qind të migrimit të brendshme. gGjatë vitit 2019 nga brendësia e shtetit janë shpërngulur mbi 1500 persona, gjegjësisht nga shtetet tjera në Shkup vatrën e tyre vitin e kaluar e kanë krijuar mbi 1300
Omer XHAFERI
Shkup, 13 korrik – Banorët e fshatrave dhe qyteteve tjera të Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të shpërngulen në Shkup. Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, në rajonin e Shkupit, gjatë vitit 2019 nga brendësia e shtetit janë shpërngulur mbi 1500 persona, gjegjësisht nga shtetet tjera në Shkup vatrën e tyre vitin e kaluar e kanë krijuar mbi 1300. Përpos regjistrimit të banorëve të ri, nga kryeqyteti vitin e kaluar, sipas ESHS-së, janë larguar 570 persona, të cilët kanë vendosur që jetën e tyre ta vazhdojnë në ndonjërin prej qyteteve tjera të vendit.
Aktivistja qytetare Jana Bellçeva, duke i komentuar këto ndryshime demografike në vend, për gazetën KOHA, thotë se shpërngulja e njerëzve nga brendësia e shtetit drejtë qendrës tregon se ata nuk janë të kënaqur në vendet ku jetojnë, respektivisht nuk ekziston zhvillim i ekuilibruar në të gjithë shtetin. “Për këtë arsye, njerëzit shohin se më shumë vende pune ekzistojnë në kryeqytet dhe për këto arsye ata vijnë këtu. Dhe, jo se kualiteti i jetesës është më i mirë. Por se parametrat ekonomik dhe ato arsimor i shtyjnë që të vijnë këtu. Ne kemi decentralizim në shtet, me të cilin pushteti lokal duhet t’i bën kushtet e jetesës sa më të mira çdo qytetari. Mirëpo, kjo situatë na tregon se zhvillimi i drejtë është në krizë dhe për këto arsye njerëzit nuk kanë mundësi që potencialet e tyre t’i përmbushin në vendet e tyre, gjegjësisht për këto arsye ata shpërngulen në kryeqytet. Kësisoj formohet një dendësi e popullatës e cila është e papërballueshme”, thotë Belçeva.
Të dhënat statistikore flasin se migrimi më i theksuar është nga fshati në qytet, i cili përfshin 38 për qind të shpërnguljeve, ndërkohë ai nga qyteti në qytet arrijnë 8 për qind të migrimit të brendshme. Zgjidhja e këtij problemi me mbingarkimit e Shkupit, sipas aktivistes Belçeva, duhet të behet me punën sistematike të shtetit dhe pushteti lokal, të cilët duhet të krijojnë kushte më të mirë për jetesë, me çka ata nuk do të kenë nevojë të vijnë në kryeqytet.
“Unë nuk mendoj se dikush mund të vuan më tepër se tjetri për shkak se edhe ata njerëz që vijnë nga brendësia edhe ata diçka humbin dhe diçka fitojnë, respektivisht në fund të gjithë vuajnë. Të gjithë vuajnë për shkak të kualitetit të degraduar të mjedisit jetësor, vuajnë për shkak se dendësia e komunikacionit vazhdimisht rritet, vuajnë për shkak të ndërtimit të banesave të reja dhe kjo shkakton probleme tjera. Më shpërnguljen nga fshati në qytet, apo nga qyteti drejtë Shkupit humbin edhe ato vende nga ku largohet qytetarët”, thekson Belçeva.
Është shumë me rëndësi se sa zhvillimi i drejtë lokal është i mbështetur nga pushteti lokal, por edhe sa zhvillimi i balancuar ekonomik është i përkrahur nga pushteti qendror. Ne kemi financim të decentralizimit për zhvillim të drejtë lokal, por fatkeqësisht ai nuk i jep efektet e duhura. Me paratë e reja për decentralizim duhet të mbahet llogari më e madhe se si do të financohen pushtet lokal të cilët stagnojnë në shërbimet që i ofrojnë ndaj qytetarëve.
Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të ESHS-së, shpërngulja më e madhe vitin e kaluar ka ndodhur në rajoni e Pollogut (janë regjistruar 198 raste). Sfidat me decentralizimin në Maqedoninë e Veriut janë të vjetra mbi 15 vite. Problemi me infrastrukturën e përgjithshme dhe mungesa e kushteve të mirëfillta për jetesë paraqesin brengë të përditshme për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve. (koha.mk)