Më 29 gusht të vitit 2016 nga ana e Armatës së Republikës së Maqedonisë u shkatërruan disa shkëmbinj në këtë pjesë të rrugës, por edhe kjo rezultoi pa sukses sepse menjëherë më pas nga vërshimet, e njëjta rrugë u bllokua disa herë. Ky aks rrugor është i vetmi që lidh fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë me Tetovën
Urim HASIPI
Tetovë, 4 prill – Aktualisht janë duke u zhvilluar punët për ndërtimin e urës ndërmjet Shipkovicës dhe Brodecit. Kjo rrugë, vite me radhë, kur ka reshje bllokohet dhe bllokon shumë fshatra të Malësisë dhe komunikimin e tyre me qytetin e Tetovës. Nuk dhanë rezultat as përpjekjet e dy vite më parë, kur e njëjta rrugë u asfaltua. Sërish vërshimet e dëmtuan këtë rrugë dhe si alternativë e vetme që mos përsëritet bllokimi ishte ura. Ndërtimi i urës ishte edhe kërkesë e kamotshme e banorëve të Malësisë. Për ndërtimin e urës, mjetet janë siguruar nga ana e pushtetit qendror dhe Komunës së Tetovës. Në vendngjarje punët i inspektoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Në këtë vend është duke u ndërtuar një urë më e madhe, me një gjerësi prej 8 metrave dhe 12 metra gjatësi, po ashtu ka një thellësi më të madhe që të mundësojë kalimin e ujërave nën urë që të mos bllokohet. Investimi është mbi 8 milionë denarë, prej të cilëve 3.5 milionë denarë janë siguruar nga Byroja për Zhvillim Rajonal kurse pjesa tjetër është bërë nga ana e Komunës së Tetovës. Me ndërtimin e urës, shpresojmë se në të ardhmen kjo pikë nuk do të jetë problematike për qarkullimin e automjeteve”, tha Teuta Arifi. Po ashtu në fshatin Shipkovicë është në përfundim e sipër edhe salla e sportit. Salla e sportit është në kuadër të Shkollës fillore “Rexhep Voka”. Sipas kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pushteti qendror ka financuar sallën, ndërsa Komuna kanalizimin dhe rrjetin e elektrifikimit.
“Pjesa e brendshme e sallës është përfunduar dhe është bërë pranimi teknik i saj. Komuna ka bërë rregullimin e kanalizimit, lidhjen në kanalizim, rrjetin elektrik, kurse punohet në pjesën e rrethimit të pjesës së parë”, deklaroi Arifi. Në ndërkohë, në këtë fshat janë rregulluar edhe dy mure mbrojtëse, si kërkesë e banorëve për të parandaluar vërshimet që të shkaktojnë dëme më të mëdha. “Në hyrje të fshatit dhe në pjesën qendrore janë bërë dy mure mbajtëse, që kanë qenë një problemi banorëve, dhe kjo është bërë për të siguruar jetën e banorëve”, theksoi ajo.
Kohëve të fundit, rruga Shipkovicë-Brodec është vend potencial që të ndodhë edhe ndonjë tragjedi më e madhe, sepse vërshimet në atë zonë janë të mëdha dhe të paparashikueshme, sidomos kur ka rreshje atmosferike ndërkohë që në atë rrugë qarkullojnë banorët e Brodecit, Veshallës dhe Bozovcës. Më 29 gusht të vitit 2016, nga ana e Armatës së Republikës së Maqedonisë u shkatërruan disa shkëmbinj në këtë pjesë të rrugës, por edhe kjo rezultoi pa sukses, sepse menjëherë më pas nga vërshimet e njëjta rrugë u bllokua disa herë. Ky aks rrugor është i vetmi që lidh fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë me Tetovën. (koha.mk)