Libri nuk është një protestë individuale kundër të këqijave të shoqërisë, përkundrazi, ai është një zë thirrmor për ndërveprim, për tejkalim të ekzistueses, për vrap me hap ere, për transformim të mbetjeve atavike të injorancës së përgjithshme dhe për një veprim kolektiv, mirë të organizuar, ku timonierët apo pararoja e masave do të jenë elitat shoqërore, intelektualët e mirëfilltë
Nga Vjollcë BERISHA
I nderuar auditor, prej sot ju do të mbani në duar librin e gazetarit të njohur Nazim Rashidi, i cili është botuar para pak kohësh si një kontribut i rëndësishëm për publicistikën tonë, e cila, për fat të keq, jo rrallë vuan nga uniformiteti dhe anësia e sëmurë. Libri që po përurojmë sot është një antipod i teksteve zhgënjyese që i hasim pothuajse përditë në median tonë. Ai mbi të gjitha është një kontribut që ngrihet drejt një bote ideale dhe si i tillë bëhet pjesë e zërave të rrallë që kanë kurajën dhe vullnetin ta bëjnë këtë gjë. Autori i librit, në bazë të aftësisë së tij për të argumentuar, është përpjekur ta thotë jo atë që është e pëlqyeshme dhe bukurtingëlluese, por vetëm atë që ka vlerësuar se i korrespondon të vërtetës.
Libri “Një prerje shoqërisë – Për një kulturë mendimi” i Nazim Rashidit është më tepër se një skicim me dorë të lirë i problemeve akute shoqërore, ai është një paraqitës me përpikmëri, plot matje e shestime idesh alternative për zgjidhjen e tyre dhe për këndvështrime të reja ndaj çështjeve të rëndësishme shoqërore që qëndrojnë në thelb të akëcilit qytetërim.
Në krye të herës duhet pohuar që këtij libri, në dukje të thjeshtë, i duhet njohur thellësia dhe pasuria konceptuale. Të qenit një tekst i përbërë nga shkrime të ndryshme që autori i ka shkruar si reflektim ndaj çështjeve të llojllojshme ditore, që në të vërtetë e ndërtojnë të përgjithshmen, atë që asimilohet si dukuri shoqërore, e bën këtë libër pashtershmërisht të studiueshëm dhe pashtershmërisht të ri, i cili dialogon me sociologjinë dhe psikologjinë e turmave.
Duke qenë për vite me radhë gazetar televizioni, autori i këtij libri e ka mësuar deri në përsosmëri komunikimin me të gjitha shtresat sociale njëherësh. Duke ia shtuar syrit të mprehtë të gazetarit intelektual tiparin e fituar të komunikimit me masat, Nazim Rashidi arrin ta bëjë prerjen e hollë të nevojshme për studimin e shoqërisë sonë, ku kryeson dëshira e tij për të formësuar një kulturë mendimi, i cili, nga fakti që qëndron në titull, jep edhe të gjitha shenjat (për të mos thënë alarmet) se në shoqërinë tonë bashkëkohore kjo kulturë mendimi mungon tërësisht apo është akoma e njomë dhe e paformuar.
Përmes një sërë vështrimesh me diskurs eseistik, Rashidi hap rrugë për një receptim tjetërsoj të dukurive shoqërore, problemeve të përditshmërisë, me të cilat ballafaqohemi dhe njëkohësisht cyt zgjidhje konstruktive që gjithnjë janë në anë të një shoqërie më të avancuar, më të ngritur, që di dhe dëshiron ta kultivojë mendimin alternativ, si dhe lirinë në të gjitha format e saj. Liria individuale dhe shoqërore, sikurse edhe barazia si derivat i saj, janë nocione thelbësore të teksteve të tij, përmes të cilave nocione artikulohet edhe rreshtimi i prerë i autorit në krah të luftës me dallimet, me pabarazinë, margjinalizimin, në cilëndo trajtë qofshin ato.
Ky angazhim këmbëngulës në krah të lirisë, duke u bërë edhe shpina e fortë e mendimeve liberale, e bën këtë autor një nga protagonistët e luftës për një zhvillim të mirëfilltë shoqëror, të cilin zhvillim e sheh si rrjedhojë të një arsimimi e kulture të avancuar.
Duke qenë një pro evropian i theksuar, pothuajse të tëra idetë e veta Nazim Rashidi i vendos në telajon e vlerave kulturore evropiane dhe në harmoni të plotë me to, përmes të cilave mëton të korrigjojë a t’i zgjidhë nyjat që shfaqen si pengesë në rrugën e zhvillimit të shoqërisë sonë. Shkrimet e tij, sikurse e thotë edhe titulli, në radhë të parë angazhohen për një kulturë mendimi, për shpërfaqje korrekte të ideve konstruktive dhe pa bujën krekosëse të ofrimit të zgjidhjeve e tezave të mëdha. Mu ky artikulim serioz dhe i thjeshtë në diskurs, e bën të këndshëm këtë libër dhe lehtësisht të komunikueshëm me lexuesin. Gjuha e autorit nuk është e rënduar nga ornamente të tepërta stilistike. Ajo i flet natyrshëm e shtruar secilit lexues dhe arrin të ngacmojë tek ai pikëpyetje të panumërta që hapin shtigje drejt debatit publik, e përmes tij edhe të avancimit të mendësisë shoqërore në përgjithësi.
Vajtje-ardhjet nga temat kulturologjike e fenomenologjike tek ato më të rëndomtat e përditshmërisë njerëzore janë sharmi dhe vlera e këtij libri që i duhet letrave tona, botimin e të cilit e kam rekomanduar fuqishëm.
Botimi në libër i këtyre shkrimeve, përveç mundësisë që i jep shijimit në një vend të teksteve të shkruara në periudha e situata të ndryshme, është edhe një mundësi për t’i parë të brendashkruara në KOHË dukuritë e ndryshme shoqërore sipas peshës së rëndesës. Nuk është pushteti i gazetarit, po as gazetaria si pushteti i katërt ai që i ndërton urat drejt lexuesit të këtij libri. Përkundrazi, autori e ruan tonin e sinqertë, të një vëzhguesi të thjeshtë, të një artikuluesi të zakonshëm të kërkesave e shfaqjeve shoqërore, të një radhitësi të tyre në formën më spontane të mundshme, por që në të njëjtën kohë ushtron efekte shumë të ngjashme në universe fenomenologjikisht shumë të ndryshme.
Libri që po e përurojmë sot nuk është vetëm një dizë shkrimesh që autori i ka përmbledhur për ta shenjuar rrugëtimin e mendimit të tij ndër vite, apo një album tekstesh që i ngjet një herbariumi koleksionist, përkundrazi ai është një mendim i ndërtuar me kujdesin e atij që e do botën dhe vihet në anën e së mirës, në anën e mbrothtësisë kombëtare e shoqërore, një mendim i artikuluar përmes ngjarjeve të veçanta që synojnë ta ravijojnë të përgjithshmen, atë që na përket të gjithëve, atë brenda së cilës marrim frymë të gjithë e që jo rrallë di të jetë edhe e ndotur – organizimin tonë shoqëror.
Nazim Rashidi me librin e tij sugjeron një objektiv që shkon përtej detektimit të fenomeneve të shoqërisë dhe veprimit të heshtur që s’i thërret të tjerët në veprim. Libri nuk është një protestë individuale kundër të këqijave të shoqërisë, përkundrazi, ai është një zë thirrmor për ndërveprim, për tejkalim të ekzistueses, për vrap me hap ere, për transformim të mbetjeve atavike të injorancës së përgjithshme dhe për një veprim kolektiv, mirë të organizuar, ku timonierët apo pararoja e masave do të jenë elitat shoqërore, intelektualët e mirëfilltë.