VMRO nga tabori maqedonas dhe ASH dhe Lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasmain në taborin shqiptar – në vijimësi mbajnë qëndrime të ashpra kundrejt Qeverisë. E para kundër marrëveshjes me Greqinë, ndërsa dy të fundit janë skeptik se Qeveria po realizon reformat e premtuara. Nga Qeveria thonë se vërejtjet e opozitës do të merren parasysh në Panin 18, ndërsa nuk kanë qëndrim të qartë se si do të ndërtojnë konsensusin e brendshëm politik si pjesë e kriterit politik bashkë me atë ekonomik për të çelur negociatat për anëtarësim në BE
Fatos RUSHITI
Shkup, 2 korrik – Në kohën kur Qeveria po punon me hov të madh në planin diplomatik, partia më e madhe opozitare – VMRO vazhdon të mbajë qëndrime të forta kundër Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Përmes një komunikate drejtuar mediave, nga VMRO akuzojnë kryeministrin Zoran Zaev se me pranimin ndryshimit të emrit kushtetues po e çon Maqedoninë drejt shkatërrimit.
“Zaevi është person që po e çon Republikën e Maqedonisë drejt shkatërrimit. Ai premtoi që nuk do të pranon ndryshim të emrit Kushtetues të Maqedonisë, por tani nga pozita e pushtetit, po i shet interesat shtetërore dhe kombëtare. Zaevi po na gënjen. Kjo marrëveshje është tentim i tij që ta mbulojë kriminalitetin, korrupsionin dhe paaftësinë e Qeverisë së tij. Maqedonia pa reforma nuk mund të hyn në BE”, thuhet mes tjerash në komunikatën e DPMNE-së. Në vijë të ashpër kundër Qeverisë ka qenë edhe vet kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickovski. Ai tha se partia e tij është pro reformave, por se nuk do të jetë në krah të atyre që nënshkruan kapitullimin e Maqedonisë.
“Do të përsëris qëndrimin tonë se opozita është duke ecur fort drejt rrugës së integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, por nëse dikush pret që opozita të qëndrojë krah për krah me ata që e kanë nënshkruar këtë kapitullim, është tepër pretenduese të pritet një gjë e tillë nga opozita”, tha Mickovski. Veç tjerash, ai kërkoi dhe dorëheqjen e ministrave që, sipas tij, punuan për fiaskon në planin diplomatik.
“Më të paktën që mund të bëjnë, të gjithë ata ministra që merren me proceset e integrimit euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, për shkak të kësaj fiaskoje që e bënë në planin diplomatik, është mirë të japin dorëheqje morale menjëherë”, tha Mickovski. Qëndrime të forta kundrejt Qeverisë po mban mban Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës.
“Kryeministri Zoran Zaev nuk ka plan si të ndërtojë konsensusin e brendshëm politik për implementimin e marrëveshjes me Greqinë, por tërë kohën qëndron jashtë ku bashkë me ministrat e korruptuar të BDI-së, dëshiron të bind BE-në se po bën reformat në vend. Reformat nuk po i shohim në sfond, ndërsa qytetarëve vetëm po u përkeqësohet standardi jetësor jo vetëm me rritjen e çmimeve enorme të naftës, por edhe me gjërat ushqimore, ndërsa rrogat për asnjë denar nuk janë rritur siç pati premtuar Zoran Zaev. Zaev kthehu nga qytetarët sepse Evropa jemi ne, pa shqiptarët s’mund të shkosh në BE”, thotë zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti.
Qëndrime kundër Qeverisë ditë të parë ka mbajtur edhe lëvizja BESA me kryetar Bilall Kasamin përmes nënkryetarit të saj Kastriot Rexhepi. Nga Qeveria ndërkohë presin që opozita të japë vërejtje dhe propozimet e veta për Planin 18, i cili pritet së shpejtë të kalojë në njërën nga mbledhjet qeveritare. “Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka realizuar takim me përfaqësues të VMRO-së, të cilët janë zotuar se do të japin vërejtjet dhe propozimet e veta për Planin reformues 18. E njëjta vlen dhe për partitë shqiptare në opozitë, nga të cilat presim bashkëpunim në implementimin e këtij plani”, përgjigjet zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha në pyetjen e gazetës KOHA se cila është strategjia e Qeverisë në ndërtimin e konsensusit të brendshëm politik si pjesë kriterit politik për të çelë negociatat me BE-në bashkë me atë ekonomik dhe kriterin acuas. Hoxha nuk pranoi të komentojë qëndrimet e ashpra politike të VMRO-së, cila shkoi larg duke kërkuar madje edhe dorëheqjen e ministrave që punuan për marrëveshje me Greqinë, por Hoxha flet në fokus të mbajtjes, siç tha ai, të suksesshme të referendumit.
“Nuk mund të komentojë më shumë çfarë thotë e kërkon VMRO. Ajo çka mund të them është se Qeveria po punon drejt organizmit të suksesshëm të referendumit. Këtu ju bëj apel të gjitha forcave politike të dalin dhe ta përkrahin Marrëveshjen për emrin. Pas referendumit do të kemi ftesë për të qenë pjesë e NATO-s dhe më pas, edhe anëtarësim të plotë. Pasi të hymë në NATO, do të fillojë edhe procesi i anëtarësimit në BE i cili është dhe qilimi ynë i kamotshëm”, tha Hoxha.
Ndryshe deri më 17 korrik, Maqedonia duhet të formojë një ekip negociator me BE-në, i cili do të ketë një negociator politik dhe teknik. “Deri më 17 korrik, kur do të lansohet skriningu, ne duhet të kemi emra. Bëhet fjalë për një negociator kryesor politik dhe një negociator teknik. Në pjesën e negociatave politike, SÇE mbetet koordinatori kryesor i gjithë procesit, ndërsa cili në pjesën teknike do të koordinojë punën, ne do të vendosim në ditët e ardhshme. Negociatori politik do të koordinoj ministritë, ndërsa negociatori teknik grupet e punës”, tha ditë më parë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. (koha.mk)