Evis HALILI
Shkup, 13 janar – Teatri i Kumanovës, në të cilin funksionojnë së bashku drama maqedonase dhe shqipe do të rikonstruktohet, shkruan gazeta KOHA. Iniciativa e Ministrisë së Kulturës është prezantuar në këtë institucion, ndërsa projekti rikonstruktues që duhet të jetë gati brenda këtij muaji do të përpilohet në bashkëpunim me punonjësit, sipas nevojave dhe kërkesave që kanë. Kështu ka deklaruar ministrja Elizabeta Kançeska-Milevska, gjatë vizitës në Teatrin e Kumanovës. Por punonjësit e Dramës Shqipe kanë kërkuar që të shqyrtohet mundësia që teatri shqiptar të zhvendoset në një godinë tjetër. Shtëpia e Armatës është vendi më i përshtatshëm për t’u vënë në dispozicion të Dramës Shqipe, thotë për KOHA përgjegjësi Enver Halimi. Drama shqipe funksionon prej disa vitesh së bashku me atë maqedonase dhe numëron një staf prej 11 personash. Por ndarja e skenës, qoftë për prova apo edhe për shfaqje, kufizon në maksimum dinamikën dhe mundësitë për të zhvilluar një aktivitet të pavarur artistik. “Projekti rikonstruktues është një zgjidhje e mirë për kushtet në të cilat ndodhemi, megjithatë ne me ministren diskutuam edhe për vendosjen tonë në Shtëpinë e Armatës, që është një objekt i përshtatshëm, si për vendin ku ndodhet, ashtu edhe për hapësirat që ka. Të shohim nëse kjo kërkesë do të realizohet, ashtu si edhe ato të tjerat që kemi, si punësime të reja, zgjidhja e çështjes me kartelat dhe regjistrimi elektronik i punonjësve”, thotë Halimi. Rikonstruktimi i Teatrit të Kumanovës, që gjendet në Shtëpinë e Kulturës Trajko Prokopiev që parashikon modernizimin e plotë dhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese, është cilësuar si një projekt i rëndësishëm i kulturës që do të përmirësojë kushtet e punonjësve, por edhe imazhin e përgjithshëm për spektatorët.
“Rikonstruktimi do të mundësojë kushte më të mira edhe për Dramën Shqipe, që është pjesë e këtij teatri dhe funksionojnë së bashku. Po ashtu do të vazhdojmë edhe me mbështetjen e më shumë projekteve, si për dramën maqedonase, ashtu edhe atë shqiptare, më shumë shfaqje, edhe më shumë punësime. Ashtu si më vunë në dijeni edhe vetë aktorët ata kanë nevojë për të rritur produksionin teatror dhe ne do të përpiqemi ë edhe këtë vit t’iu mundësojmë më shuam projekte dhe shpresoj që të kemi edhe shfaqje më të mira”, ka deklaruar Kançeska Milevska.
Me rikonstruktimin do të fillohet menjëherë. Deri në fund të janarit duhet të jetë gati programi projektues, me të gjitha kërkesat e aktorëve, punonjësve dhe nevojave të vetë teatrit. Projekti do të zgjasë dy vjet dhe rikonstruktimi i plotë duhet të përfundojë në vitin 2019. Skena do të pajiset me teknologjinë bashkëkohore, do të zgjerohet dhe rikonstruktohet salla dhe i lozhat, së bashku edhe me pjesën e jashtme të godinës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.