Ish-lojtari i Bregut të Fildishtë dhe Arsenalit, Emanuel Eboue, ka pasur një fund karriere për t’u harruar. Në vitin 2016 ai nuk pagoi agjentin e tij dhe kjo i kushtoi një vit skualifikim. Më pas Eboue u ka thënë vetëm gënjeshtar fëmijëve të tij.
Pasi bëri historinë me Arsenalin në periudhën 2005-2011, ai shkoi te Gallatasarai, ku luajti për 4 sezone dhe u kthye në Premier League, te Sanderlendi, në vitin 2016, por nuk luajti më futboll. Pak pasi firmosi kontratën, FIFA e dënoi, sepse nuk pagoi shumën e 1 milion eurove për agjentin e tij. Nga ai moment e humbi futbollin. Në janar të 2018-ës, ish-mbrojtësi pranoi se kishte menduar vetëvrasjen për shkak të problemeve financiare.
Së fundi, për “RMC Sport”, Eboue ka thënë: “FA-ja më pezulloi nga çdo aktivitet, nuk kisha të drejtë të stërvitesha me asnjë klub. Stërvitesha vetëm dhe më vinte turp. Shkoja për vrap herët në mëngjes, por kishte persona që vraponin dhe afroheshin për të bërë foto. Pastaj m’u desh të stërvitesha natën, nuk mund të rrija në shtëpi.
Kur pashë fëmijët, më pyetën kur do të kthehesha të luaja dhe kur dilja në mëngjes, bëja sikur do të shkoja në punë. Rrija jashtë dhe shkoja në shtëpi, kur fëmijët ishin në gjumë. Nuk doja të më pyesnin pse nuk po luaja. Shpesh mbyllesha në dhomë për 3-4 ditë. Merrja mjekim për depresion”. Një dramë e vërtetë për lojtarin që i shkoi aq pranë Championsit me Arsenalin.